Zbardhet pas 50 vitesh vrasja e mistershme, arrestohet autori
Hetuesit në Wisconsin përdorën analiza gjenetike për të zgjidhur një vrasje të 50 viteve më parë duke akuzuar një 84-vjeçar nga Minesota për vrasjen e një vajze që u gjet e vdekur në vitin 1974. Mary K. Schlais, 25 vjeç, u gjet e vdekur në një kryqëzim në qytezën Spring Brook më 15 shkurt 1974. Vdekja e saj u cilësua si vrasje dhe hetimet fillestare zbuluan se ajo kishte qenë duke udhëtuar me autostop për në një shfaqje arti në Çikago.
Jon Miller, nga Owatonna në Minesota u arrestua pasi “pranoi përfshirjen e tij” me vrasjen e Schlais. Ai është aktualisht në paraburgim në pritje të dërgimit në Wisconsin. “Kjo është një fitore e madhe për agjencinë tonë” – tha sherifi Kevin Bygd në një konferencë shtypi. Është hera e parë që agjencia ka përdorur gjenealogjinë gjenetike për të zgjidhur një rast nën hetim, tha sherifi.
Për dekada me radhë, detektivë nga agjenci të shumta të zbatimit të ligjit, të cilët ishin caktuar në rastin e vrasjes, ndoqën pista të ndryshme, kryen intervista, por asnjë i dyshuar “i besueshëm” nuk u identifikua.
Provat u ekzaminuan dhe u rishqyrtuan gjatë viteve, por vetëm kur agjencia filloi të punonte me një ekip gjenealogësh gjenetikë në Kolegjin Ramapo në New Jersey vitet e fundit, hetuesit ishin në gjendje të identifikonin Millerin si të dyshuar duke përdorur prova gjenetike.
Sipas Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së, gjenealogjia gjenetike mjeko-ligjore mund të gjenerojë të dhëna për raste të pazgjidhura duke analizuar ADN-në. Kjo mënyrë kombinon gjenetikën mjekoligjore, ose analizën e ADN-së, me gjenealogjinë konvencionale, ose historinë familjare të dikujt që përdoret për identifikimin e një personi. ©LAPSI.al