Xhuli e “BB7”: Publiku pëlqen intrigantët në “Big Brother”, kurthet ku bien lojtarët dhe si i përdorin meshkujt të dashurat për të fituar

Thotë se nuk është ajo e para pasi doli nga “Big Brother 7”, por gjithsesi i pëlqen kjo Giuli e re. Juliana Dodaj jeton në Itali, por nuk i lë pa ndjekur lojtarët e rinj të “BB9”, dy prej të cilëve i njeh personalisht, Damianon 26 vjeçar dhe Armelën 21 vjeçare. Në këtë intervistë për revistën “Story” ajo rrëfen të gjitha anët e medaljes së lojës çift, dhe si e ka ndryshuar kjo eksperiencë jetën e saj.

Këtë edicion të “Big Brother” luhet çift. Nga eksperienca jote cilat janë anët e mira dhe të këqija të krijimit të një lidhjeje brenda shtëpisë “Big Brother”?
Një lidhje mund të krijohet për arsye të ndryshme, mbase kur ndjen mungesë ngrohtësie të njerëzve që nuk ke pranë, pra familjen apo shoqërinë. Kur një person aty brenda të jep ngrohtësi dhe të trajton si të rëndësishëm, ndodh që lidhesh me të. Je brenda mes katër mureve dhe afeksionohesh, pasi mbase i sheh gjërat ndryshe nga kur jashtë.
Në ç’kuptim i sheh gjërat ndryshe, cili është aspekti pozitiv i të jetuarit në atë shtëpi?
Po kur je në atë shtëpi duket sikur s’ka botë përtej shtëpisë, pra gjëja pozitive është që është dikush që të jep dashuri dhe kurajo për të vazhduar e për t’u bërë më e fortë.
Po si përjetime negative çfarë mund të kujtosh?
Pjesa negative është që të penalizon siç thashë më sipër të luajturit çift. Kjo sepse kur je në një lidhje duhet të marrësh vendime të përbashkëta, s’mund të rrish me të gjithë se mbase atij nuk i pëlqen (siç më ka ndodhur mua). Isha e kufizuar, dhe duke qenë se shpesh herë jam kokëfortë rrija me njerëzit që ish-partnerit tim, Ardit Çelepija, nuk i pëlqenin. Edhe pse unë s’kisha gjë me ta, çdo herë kishim mosmarrëveshje. E nga këto situata shpesh herë vendosja që të ndaheshim vetëm për këtë gjë. Unë, kufizimet edhe në jetën reale i urrej, jo më në një format ku unë kisha hyrë vetëm. Dhe çmimin po ta merrja do e merrja vetëm pa ndihmën e askujt.
Kujt i shërben më shumë një lidhje në lojë, mashkullit apo femrës?
Lidhja i shërben më shumë atij/asaj që s’ka ç’të të japë vetëm, nëse flas për një lidhje të krijuar për strategji. Por kam vënë re që meshkujt e përdorin më shumë këtë gjë. Unë personalisht lidhjen e kam krijuar nga arsyet që dhashë më sipër. S’kisha nevojë për strategji, isha në qendër të vëmendjes pa pasur lidhje. Madje kur u lidha humba shumë pikë.
Është e thjeshtë apo e vështirë të dallohen personat negativë që mbyllen në atë shtëpi, nëse mund t’i quajmë kështu?
Dallohen personat negativë. Janë pikërisht ata që të paragjykojnë dhe nxjerrin helm nga goja, duke të prekur në pikat më të dobëta si e si të të nxjerrin nga vetja, kjo është strategji e vjetër. Por paragjykimet dhe ofendimet s’më pëlqejnë kur vijnë nga njerëz që vetë janë të zhytur në… Më mirë s’po e them deri në fund. Pra, protagonistët duhet të kenë kujdes nga çdokush. Fundja ajo është lojë dhe je vetëm.
Disa nga kurthet ku mund të bien lojtarët?
Kurth? Eh, po të përmendën familjen ke arritur të nxjerrësh më të keqen e vetes. Besoj e kujtoni skenën time në “BB7”.
Ka vend në atë shtëpi për njerëzit e mirë dhe të drejtë, apo në “Big Brother” kanë sukses vetëm intrigantët?
Mendoj që publiku shqiptar preferon më shumë intrigantët në atë format, dhe jam dakort që duhen ndryshe. Po të ishin të gjithë konkurrentët të mirë dhe të drejtë s’do ishte aspak lojë interesante. Gjithsesi njerëzit e mirë dhe të drejtë duhen patjetër, pasi nga ata mund të marrim shembull. Mbi gjitha “Big Brother” po ndiqet edhe nga italianët, e të paktën kështu mund t’u tregojmë atyre që ka edhe shqiptarë të mire, se na ka dalë nami për keq (qesh). Së fundmi, po ju kujtoj që në edicionin e fundit fitoi një djalë si Vesel Kurtishaj. Njeri i mirë dhe i drejtë, pra dua të them se ndonjëherë nuk mjafton intriga për të fituar. Publiku e do banorin negativ, por së fundi zgjedh fitues të mirin.
Sa shanse ka të gjesh njeriun e jetës në “Big Brother”?
Unë them në 9 edicione një herë ka ndodhur, dhe për si kanë ardhur kohët sot ka 0 për qind shanse për të gjetur njeriun e jetës në “Big Brother”.
Pas eksperiencës tënde në “BB” a je më ajo e para?
Jo, nuk jam më e njëjta. Atëherë isha e llastuar, isha shumë e turpshme dhe frikacake, isha tepër e butë dhe nuk isha egoiste. Mendoja gjithmonë për të tjerët. Pas daljes nga “Big Brother” jam bërë shumë më e shkathët, jam rritur aty brenda. Sot mendoj për veten mbi gjithçka, pastaj për tjerët. Jam më e vendosur si njeri dhe një të keqe që më humb durimi shumë shpejt (qesh). Por le të themi që më pëlqen kjo Giuli e re.