Xhudoja shpall më të mirët e vitit, Indrit Çullhaj për rekord me titullin e 15-të
Federata Shqiptare e Xhudos ka zhvilluar aktivitetin më të rëndësishëm për vitin 2022, Kampionatin Kombëtar për Senior dhe Kadet. Sportistë nga të gjitha klubet e vendit, por edhe pjesëmarrës të tjerë që kishin ardhur nga shtete të ndryshme të Europës, i dhanë jetë ditën e shtunë një evenimenti masiv në sallën “Feti Borova” në Tiranë.
Një aktivitet që dhuroi duele shumë interesante, ku dhe u përcaktuan kampionët për secilën kategori peshe. Për të disatën herë radhazi, Roland Vasia, Xhovani Shkoza, Erson Ramaj dhe Dritan Visha e ruajtën dominimin absolut. Ndërsa Indrit Çullhaj vazhdon të mbetet numri 1 i xhudos shqiptare, duke koleksionuar titullin e 15- të kampion në karrierë.
Për t’u veçuar ishte edhe pjesëmarrja masive e Klubit Tirana, teksa trajneri Luti Çullhaj u përfaqësua me plot 25 sportistë në kampionat. I pranishëm në këtë event ishte edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Xhudos, Dashamir Xhixho. Ndërsa si gjithmonë kryegjyqtari nga Kosova, Fatos Tabaku, rriti cilësinë e aktivitetit me gjykimet e tij tepër profesionale.
Kujtojmë që ditët e fundit Shqipëria është kthyer në epiqendrën europiane të xhudos, teksa trajneri i madh kosovar, Driton Kuka, po zhvillon kampin stërvitor në Golem, aktivitet ku marrin pjesë elita të xhudos së kontinentit të vjetër. Një kamp, që vitet e fundit është kthyer në traditë në vendin tonë.
PANORAMASPORT.AL