Xhesika Polo rrëfen pse s’heq dorë nga festivalet: Gara më jep adrenalinë, plus kam fituar imunitet nga zhgënjimet!
Nga Klotilda Harka. E veshur si nuse, për t’i kënduar engjëllit mbrojtës, nënës së saj të ndjerë, Xhesika Polo tërhoqi vëmendjen e publikut në skenën e Festivalit të 59-të të Këngës në RTSH në muajin dhjetor. Por kundër atmosferës së kësaj balade drithëruese, ku e kishte të vështirë të mbante lotët në skenë, në rrjetet sociale me shpejtësi qarkulloi një foto e artistes, ku komentoj për transparencën, që për Xhesikën ishte thjesht një pozë e shkrepur e tillë, me qëllimin për ta nxjerrë keq. Për këtë histori që ndezi rrjetin, përjetimet e një kënge ku i qante shpirti, pse nuk heq dorë nga garat muzikore, dhe plani për karrierë ndërkombëtare Xhesika flet në këtë intervistë për revistën “Story”.
“Më mbron” titullohej kënga me të cilën preke zemrat e publikut në Festivalin e Këngës që lamë pas. Si u shkrua kjo këngë dhe e kishe të vështirë interpretimin “live”, ku dukej që me vështirësi po mbaje lotët?
“Më mbron” ka qenë dhe do të jetë performanca më e vështirë e karrierës sime, pasi lotët me mbysnin nga sekondi në sekond.
Është një këngë e krijuar nga vëllai yt Marko Polo, e tekst të shkruar nga ty dhe Alex Seitaj. Çfarë komentesh morët?
Komentet për këngën kanë qenë të mrekullueshme, sidomos nga publiku i huaj. Edhe ata e kanë ndjerë dhimbjen time, edhe pse nuk e kuptonin se për çfarë po këndoja.
Realisht hyre për të fituar në atë garë, dhe u mërzite që kupa s’ përfundoi në duart e tua?
Nuk hyra për të fituar, hyra për veten time, për njerëzit që duan artin tim.
Të ndalojmë pak tek fakti që të pamë si nuse në skenë. Pse kjo zgjedhje për t’i kënduar humbjes së nënës, e veshur me fustan të bardhë?
Mamaja ime ishte një njeri me zemër të bardhë e shpirt kristal. Kurrësesi nuk do të donte të më shihte me të zeza.
Nisur nga veshja, fotot e tua pushtuan rrjetin me komentin “Xhesika Polon e tradhton veshja”, duke pasur parasysh transparencën. Si u ndjeve dhe ç’përgjigje do u jepje atyre që bënë një interpretim të tillë?
Më vjen keq për mendjet e tyre të shëmtuara! Do u sugjeroja ta dëgjonin këngën se do flinin më të qetë, sesa të merreshin me veshjen time.
Je për ekzibixionizmin skenik, dhe ç’përjetove kur pe se si u shënjestrua po ashtu miku yt Mirud, për veshjet e tij në skenën e atij festivali?
M’u neverit kur lexoja komentet homofobe të një populli të frustruar. Më tremb idea që jetoj në një vend të mbushur me qenie të tilla. Mjerë ata për veten e tyre! Çdokush mund të vishet si të dojë!
Ti personalisht ku e ndjen veten plotësisht zotëruese të skenës, kur këndon baladë apo këngë ritmike?
Çdo këngë ka emocionin dhe ndjesitë e saj.
Do të vazhdosh të marrësh pjesë në gara muzikore ku ka gjithmonë një fitues, dhe si do e komentoje konkurrencën mes ju këngëtarëve?
Do vazhdoj të marr pjesë, sepse me jep adrenalinë. Plus kam fituar imunitet nga zhgënjimet (Qesh).
Një vajzë artiste si ty çfarë synimesh ka për karrierë ndërkombëtare?
Do të doja të isha jashtë tani, sepse jam e sigurt që aty arti im do të vlerësohej shumë më shumë, e s’do merrej askush me veshjen time./www.story.al