Xhesika Polo: Në garë me një baladë shumë personale, personi që po i këndoj është…

Një 20 vjeçare me shpirt të ndjeshëm dhe zë potent, sa duket se në çdo këngë rrëfen atë çfarë i mba në zemër. Pasi u bë e njohur në “X Factor 1”, Xhesika Polo konkurron në kategorinë BIG të festivalit “Kënga Magjike” me një super baladë. Për personin që i dedikon “Jetën ma fal”, një produksion i vëllait të saj, Marko Polo, dashurinë që e lumturon, ngjashmërinë me Amber Rose dhe disa sekrete të tjera, artistja që spikat gjithmonë në skenë i rrëfen në këtë intervistë për revistën “Story”.

“Jetën ma fal”, kënga me të cilën konkurron në festivalin “Kënga Magjike”. Kujt i drejtohesh me këto fjalë dhe kush e meriton këtë baladë kaq të fortë?
Këtë baladë e meriton personi, të cilit unë po i këndoj. Një dashurie pa kushte. Një dashurie që nuk njeh vështirësi e pengesa. Dashurisë sime.
Vëllai yt Marko Polo dhe miku Alex Seitaj janë autorët e këngës. Ishe ti që u kërkove një këngë kaq shpirtërore, apo ata krijuan një këngë të tillë që t’u desh ta merrje përipër?
Nuk m’u desh ta këndoja, kjo nuk mund të thuhet. Kur Marko më tregoi këtë material ngela pa frymë, dhe thashë kjo është. Edhe Alex zgjodhi pikërisht ato vargje që do të thonë shumë për mua, vargje të cilat zëre se kanë dalë nga shpirti im.
Cilat kanë qenë pritshmëritë e para pas deputimit të kësaj kënge shpirtërore, dhe mendon se kjo do të jetë balada e vitit?
Për mua është balada e vitit, pasi është një baladë shumë personale. Producenti i kësaj kënge është vëllai im Marko Polo, dhe kjo është një nga arsyet që e bën këtë baladë shumë të vyer për mua.
Nisur nga titulli i këngës, ti personalisht kujt mund t’ia falje jetën, cilit personi jashtë familjes?
Një personi aq të shtrenjtë sa nuk e imagjinoni! Dikujt që jeta e të cilit do të kishte më rëndësi se e imja, thënë nga një qenie njerëzore duket jo humane, pasi humanët e kanë egoizmin të rrënjosur në shpirt.
Larg artit si i ke punët e dashurisë, je e lumtur apo e lënduar nga dikush?
Jam e lumtur sa s’ka fjalë për ta përshkruar këtë lumturi.
Është e vështirë për ju këngëtarët të mbani lidhje stabël?
Unë jam njeri shumë i balancuar dhe më pëlqen stabiliteti në një marrëdhënie. Kështu që në rastin tim nuk është aspak e vështirë për aq kohë sa partneri im më do dhe më respekton për atë që jam, Xhesikën e vërtetë e të thjeshtë jashtë skenës.
Si artiste në karrierë ke frikë se martesa mund të të lidhë këmbët?
Martesa duket gjë shumë e bukur, është kurorëzimi i një marrëdhënieje. Imagjinoni një nuse si unë, me tatuazhe e flokë të rruara. Ku ka gjë më fantastike (Qesh).
Përtej ndjenjës shpirtërore deri ku shkon fantazia jote erotike që mendon se forcon lidhjen?
Është pikërisht fakti që në fantazi nuk duhet të ketë kufij, arsyeja pse një lidhje nuk bëhet asnjëherë monotone. Për aq kohë sa je rehat me personin që ke në krah, asgjë nuk është e palejuar apo turp.