Xhensila Pere: Unë i tremb meshkujt, nëse s’vjen i duhuri do jem nënë single
Miss, lojtare në “Big Brother”, kërcimtare apo aktore në klip që, në fakt, ambicie kryesore ka të jetë një femër e pavarur biznesi. Xhensila Pere, vajza e showbiz-it që i ka provuar të gjitha, rrëfen për “Panorama Plus” jetën pa tabu, pa rregulla apo një mashkull në krah dhe planin B që ka menduar, nëse i duhuri nuk vjen kurrë…
Si mentore e vajzave të “Miss Universe”, për çfarë i këshilloni ato që t’ia dalin në një garë brenda Shqipërisë dhe të jenë të denja për një sfidë ndërkombëtare?
Ashtu si është vënë re, këtë vit nuk kam qenë pjesë e stafit të “Miss Universe Albania” për shkak të projektit që kam, por, për mua, ngelet një nga eksperiencat e mia më të bukura. Është ndjesi shumë e bukur t’u mësosh vajzave vetëbesimin.
Ke kaluar shumë sfida në televizion, nga “Big Brother” te “Dance with me”. Do e përshkruaje si parajsën që e dëshirojnë të gjithë apo si ferrin e mundimshëm?
Parajsë në ferr. E bukur ndjesia dhe arritjet, por një luftë e fshehur dhe një zjarr mundimesh.
Duke qenë se ti ke guxuar jo pak, si ka ndikuar kjo e shkuar në jetën tënde private?
Po, ka ndikuar. I tremb meshkujt nga siguria, pavarësia, guximi dhe shpirti aventuresk që kam.
Je në një lidhje tani dhe sa të mundur e sheh martesën për veten?
Prej shumë kohësh jam single, zgjedhje e imja. Kam filluar të mësohem dhe të më pëlqejë të jem vetëm, duke bërë gjërat e mia pa u penguar nga askush. Madje, nëse nuk vjen “i duhuri”, mund të jem edhe një nënë single.
Në konceptin tënd, ku fillon dhe ku mbaron intimiteti i një marrëdhënieje dashurie-erotiko-seksuale?
Ah, sa pyetje e vështirë, duke qenë se kam kohë që ia kam harruar emrin dashurisë. Fillon në krevat e mbaron aty! Por një gjë është e sigurt: Në dashuri nuk ka rregulla. Nëse ekziston një rregull ai është: Thjesht dashuro!
Flitet jo pak për “lypjet” në paskuinta në botën e showbiz-it. Ty të ka ndodhur që të të kërkojnë diçka në këmbim të diçkaje?
Natyra ime e drejtpërdrejtë dhe e sinqertë më ka favorizuar në këtë pikë, sepse frikësohen duke ditur që s’ua përtoj edhe t’ua nxjerr publikisht.
Ke arritur të kesh linja perfekte, në sajë të kujdesit të veçantë që ke për trupin. Çfarë bën ti për linjat?
Kam një gen dhe metabolizëm fantastik dhe nga kjo kam përfituar jo pak. Por kam plot dy javë që kam filluar palestrën, duke qenë se dhe për mua ora biologjike ecën.
Edhe pse shumë e re ke provuar edhe sipërmarrjet në biznes. Cila është sipërmarrja që ke në plan ta bësh realitet?
Më pëlqen shumë biznesi dhe deri tani rezulton i suksesshëm. Kjo, për vetë faktin se puna më pëlqen dhe ëndrra ime që e vogël ka qenë të jem një biznesmene e suksesshme, një femër e pavarur. Aktualisht, asnjë plan biznesi sepse jam duke realizuar një projekt në televizion.
Ka pasur raste që je ndjerë e paragjykuar nga jeta luksoze dhe cilat janë thashethemet që të kanë çuditur për veten?
Nuk jam nga ato vajza që mbahen për një jetë luksoze, por bëj një jetë të mirë e të bukur dhe nuk më mungon asgjë. Kjo sepse unë punoj për të pasur atë që dua. Gjithmonë i vendos vetes standarte sa më të larta jetese, sepse kështu do më duhet të punoj akoma më shumë. Më pëlqen të arrij gjërat e mia vetë. Me paragjykimet kam kohë që i kam larë hesapet, nuk më intereson absolutisht asgjë, e thënë nga njerëz që nuk dinë të bëjnë asgjë, përveçse një koment prapa një kompjuteri me adresë false./Panorama Plus