Xhensila Pere: Nga propozimet për një natë tek lidhjet për interes, kërkesat e çuditshme që marr nga meshkujt
Eksperiencën e “Big Brother” e konsideron një realitet të stisur, ndërsa “Instagram”-in një gënjeshtër të bukur. Mes të dyjave, Xhensila Pere preferon të jetojë në maksimum realitetin, pasi thotë se ka gjithçka.Për “Panorama Plus” tregon jetën pa tabu, pa rregulla apo një mashkull në krah dhe planin B që ka menduar nëse i duhuri nuk vjen kurrë…
Pas përfundimit të “Miss Universe”, cili është angazhimi yt i ri, meqë je e pasionuar pas biznesit?
Është shumë e vërtetë që biznesi më tërheq pafund dhe aty ndihem në habitatin tim. Por këtë vit kam dashur të bëj pushimet më të gjata të jetës sime.
Duket se bën jetë të bukur, nga festa në festë. A ka momente kur dorëzohesh dhe qan në vetmi?
Jeta ime është shumë e bukur dhe fatmirësisht, edhe e lumtur sepse dua gjithçka që kam. Kam gjithçka që dua dhe rrethohem nga njerëz që më duan. Por çdo njeri ka pikën e tij të dobët dhe atë 5-minutëshin e tij, rrjedhimisht edhe unë, por vitet e fundit e kam shumë të rrallë. Pjekuria bën të vetën dhe jeta më ka mësuar t’u buzëqesh problemeve.
Ke eksperiencën e “Big Brother”, po çfarë gjen të përbashkët mes jetës para kamerave me atë virtuale në “Instagram”?
“Big Brother” ka qenë një realitet i stisur, ndërsa “Instagram”-i një gënjeshtër e bukur dhe një vend ku të gjithë duan të duken të bukur, perfektë dhe që bëjnë jetë përrallash.
Je komentuar edhe ti si vajza e pasur, si arrin ta fitosh paranë, duke qenë se nuk është e thjeshtë?
E përmenda edhe pak më sipër, unë kam gjithçka që dua. Patjetër që dhe unë kam kaluar vështirësitë e mia, por me punë arrihet gjithçka. Unë punën e dua dhe vazhdoj të punoj për të plotësuar standardet e jetës që dua.
Mund të themi se je single apo çift dhe, a të ndodh të të afrohen djemtë vetëm për një natë apo për interes?
Mund të them që jam e lumtur, por nuk mund ta mohoj faktin që kam kërkesa nga më të çuditshmet, nga ato për një natë e deri tek intteresi. Dhe normalisht, të gjithë e marrin përgjigjen që meritojnë dhe u tregohet ku është dalja.
Gjithmonë ke deklaruar se të pëlqen bota e televizionit. Vazhdon me tratativat për të pasur emision tëndin dhe çfarë vizioni ke për veten si vajzë ekrani?
Absolutisht që po. Kam një ide shumë të bukur dhe të veçantë, një risi për ekranet shqiptare dhe që do të vijë shumë ndryshe nga ajo që janë mësuar të shohin nga Xhensila. Pra, Xhensila në 5- vjeçarin e ardhshëm do jetë me një emision, një biznes dhe me një familje.
Pas Genës, ka qenë ndonjë tjetër këngëtar që të ka bërë ofertë për të qenë ti protagoniste e klipit të tij?
Po, kam pasur shumë, por nuk ka qenë prioriteti im të bëj videoklipe. Bashkëpunimi me Genën ka qenë i pari dhe besoj i fundit, edhe pse jam me shprehjen: Kurrë mos thuaj kurrë!
Ke një trup elegant dhe gjithë muskuj. Ka nga ata që të thonë se duhet të jesh më e kolme për të qenë në modë?
Teksa po lexoja pyetjen, më erdhi ndërmend një shprehje: Zot të lutem, nëse nuk funksionon dieta ime, bëj që të shëndoshen shoqet e mia! Duke marrë parasysh mbipeshën dhe obezitetin nëpër botë, po dalin modelet e kolme, por moda ka qenë dhe do të ngelet, elegante me muskuj. Kanë dalë shumë modele të kolme, të cilat edhe po korrin sukses. Por ikona e modës ka qenë dhe do të ngelet Naomi Campbell, e cila aktualisht është plot 49 vjeç dhe vazhdon të jetë elegante dhe me muskuj. Ndaj ,vajza të dashura, mos tentoni të ndryshoni modën, por ndryshoni veten, kujdesuni për ushqimin, për trupin dhe për shëndetin tuaj!
Për ty, ku mbaron koncepti i të qenit mendjehapur dhe ku fillon degjenerimi?
Synojmë gjithnjë Europën, duam të jetojmë si ata, duam të mendojmë si ata. Kjo do të thotë të jesh mendjehapur, të bësh atë që do, pa paragjykuar dhe pa marrë parasysh: “Çfarë do të thotë bota?!” Degjenerim?! Fjalë shumë e madhe për ta përkufizuar, por e vetmja gjë që do të doja është që njerëzit të kuptonin që liria e tyre mbaron aty ku fillon e tjetrit.
Është Shqipëria vendi ku mund të bësh me të vërtetë realitet ëndrra e tua?
Jetojmë në të bukurën Shqipëri, ku burgjet janë të mbushura me njerëz që nuk munden të paguajnë faturën e energjisë elektrike dhe rrugët të mbushura me njerëz me armë, që të vrasin për arsyen “Pse më sheh?!” Shpresoj që ky vend të kalojë në duart e të rinjve, të cilët kanë vizion për jetën, që e duan vërtet Shqipërinë dhe të investojnë për të./Panorama Plus