Xheni Karaj zbulon planet për t’u bërë me fëmijë: Po mendojnë fertilizimin, vetëm njëra do të jetë ligjërisht ‘nëna’

Xheni Karaj është një nga aktivistet më të njohur të komunitetit “LGBTI+” e cila ka shprehur dëshirën jo vetëm për të kurorëzuar në martesë dashurinë me partneren e saj, por edhe për të patur një fëmijë.

Teksa deklaroi se nuk e mendon largimin nga Shqipëria, Xheni tha se tashmë i ka kaluar fazat e vështira dhe ndihet mirë. Ajo tregoi se me partneren po mendojnë për fertilizimin ndonëse vetëm njëra prej tyre do jetë ligjërisht nëna.

“Me partneren po mendojmë të kemi fëmijë. Ne nuk njihemi ligjërisht. Nëse kemi një fëmijë vetëm njëra do të jetë ligjërisht nëna. Është e rëndësishme të kemi mbështetje të personazheve publike dhe të politikës. Po mendojnë fertilizimin, me vezën time, ta mbajë në bark partnerja ime. Unë dhe partnerja e plotësojmë njëra-tjetrën. Nuk mendoj se do largohem nga Shqipëria. I kam kaluar fazat e vështira. Më pëlqen Shqipëria, natyra, njerëzit. Kam një grup të mirë shoqëror”, tha ajo në një intervistë për “Jeto me Orën”.

Ndër të tjera, Xheni u ndal te periudha kur pranoi për herë të parë orientimin e saj seksual duke deklaruar se nëse nuk do ta kishte bërë edhe mund të mos ishte më në jetë.

“Nëse nuk do flisja hapur, e kam të vështirë ta mendoj si do isha, por me siguri jo e lumtur, madje mendoj se nuk do isha gjallë. Aktivizmi më ka shpëtuar jetën. Më ka dhënë emocione, dashuri, empati nga njerëz të komunitetit, guxim, më ka mësuar shumë, më ka rritur si njeri. Më ka frymëzuar.

Ka momente se edhe pse i them vetes se jam e fortë, ka momente që të shënjojnë. E pashë këtë në debatin e çështjes “prindi 1, prindi 2”. Nuk kisha hasur kurrë një gjuhë urrejtjeje si në ato dy muaj”, shtoi Karaj.

Pak muaj më parë në vendin tonë u nxit një debat pas kërkesës që organizatat LGBTI+ kanë bërë në Angli për të zëvendësuar fjalën “nënë” me “prindi 1”. Në media qarkulloi një pretendim i paqartë sipas të cilit komuniteti kërkon heqjen e fjalëve “Nënë” dhe “Baba” dhe zëvendësimin e tyre me “Prindi 1” dhe “Prindi 2”. Kjo solli reagime të ashpra, teksa aktivistë të njohur të komunitetit LGBTI+ në Shqipëri kanë thënë qartë se nuk është një kërkesë e tyre heqja e termavë “nënë” dhe “baba”. Xheni tha asokohe se janë keqkuptuar duke shtuar se edhe komuniteti i tyre e ka të shenjtë fjalën “nënë” dhe i se heqja e fjalës “nënë” nuk është kërkesë e komunitetit LGBT, por debati u hap pasi ajo foli për këtë vendim që është marrë në Angli.