Xheni Karaj, lesbikja më e famshme në Shqipëri rrëfen lidhjen: “Vajza që dashuroj, dhe plani për fëmijë”
Xheni Karaj është drejtuesja e LGBTI-së në Shqipëri, e cila ka një stil jete të veçantë mes karrierës, sportit dhe jetën private. Me thirrje pro diversitetit të dashurisë dhe kundër diskriminimit dhe bullizmit, ajo ishte në krye të disa dhjetëra anëtarëve të komunitetit LGBTI dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut që marshuan dje (e diel) në Tiranë. Nga Pallati i Kongreseve drejt Bulevardit “Zogu i Parë” ata bënë thirrje për respektim të diversitetit dhe mbrojtje nga bullizmi prej orientimit seksual në shkolla. Me slloganin “Kurajo me dashuru!” dhe “Krenar me qenë vetja!” dhjetëra pjesëmarrësit e marshimit, që u organizua për të shtatin vit radhazi valëvitën flamujt shumëngjyrësh të LGBTI dhe kërkuan për më shumë të drejta për komunitetin homoseksual dhe transeksual. “Kjo ishte një ditë për t’i dhënë mesazh njerëzve: dashuroni dhe mos urreni!”, u shpreh Xheni Karaj, në fund të marshimit. Por si është jeta private e lesbikes më të famshme në Shqipëri? Xheni Karaj rrëfen për “Story” disa sekrete të pathëna:
Shumë kureshtje ngjall jeta jote intime. Ti je e dashuruar apo në një lidhje?
Po, jam e dashuruar.
Çfarë marrëzish bëni për dashurinë duke qenë se jetoni në një vend si Shqipëria?
Jemi të dyja aq shumë të zëna me punë sa nuk na del më koha për marrëzi. Për më tepër, jetojmë në kohëra kur më duket së janë marrosur të gjithë, ndaj duhen disa të kthjellët për ta balancuar pak situatën.
Po fëmijë a dëshiron të sjellësh në jetë?
Për momentin jam shumë e përqendruar tek puna, por sigurisht në të ardhmen do të dëshiroja të kem një fëmijë.
Cila është rruga që do të ndjekësh për t’u bërë nënë?
Ka shumë fëmijë të braktisur nga familjet e tyre që jetojnë në kushtet mizerabël të institucioneve tona. Do të dëshiroja shumë të adoptoja një fëmijë./Story.al/