Xhemi Shehu i dha “bekimin” Fjoralba Ponarit për drejtimin e Portokallisë

Mbrëmjen e djeshme nisi sezoni i ri i Portokalli, ashtu siç ishte lajmëruar me shumë ndryshime, si në moderim, drejtimin artistik, por edhe në trupën e aktorëve. Kështu, sonte ishte debutimi i Fjoralba Ponarit në skenën e spektaklit të humorit, në krah të Salsano Rrapit, e gjithçka duket se shkoi ashtu siç duhet për moderatoren, duke u përshtatur menjeherë me formatin.

Ndërkohë në rrjetet sociale nuk kanë munguar urimet për Fjoralbën, sidomos në foton e fundit të postuar nga skena. Një prej komenteve që bie në sy në këtë postim është ai i Xhemi Shehut, ish-moderatores së spektaklit për disa vite, për t’u larguar më nisjen e sezonit që shkoi.

“Suksese, e meriton”- shkruan Xhemi në foton e Fjoralbës, duke i dhënë në një farë mënyre “bekimin” e saj për këtë aventurë dhe përgjegjësi të re.

Kujtojmë që Fjoralba fitoi audicionin për t’u bërë prezantuese e “Portokalli” pas largimit të Eneda Tarifës. Rikthimi i këngëtares zgjati vetëm një sezon, ndërsa më parë ishte bashkë-moderatore pikërisht me Salsanon dhe Xhemin. Kjo e fundit pak kohë më parë tërhoqi vëmendjen me deklaratat e saj, duke thënë ndër të tjera se me Enedën nuk kishin arritur të krijonin miqësi, edhe pse kanë qenë kolege dhe kanë ndarë skenën bashkë.

/News31