Xhelaludin Rumi: Çfarë e lëndon shpirtin?
Poezi nga Rumi
Dridhemi kur mendojmë se nga çasti në çast do të tretemi
në mosgjallim, por mosgjallimi
trembet shumë më tepër se mos atij mund t’i jepet trajtë
njerëzore!
Dashuria për Zotin e Lum është vetëm kënaqësi.
Mrekulli të tjera
bëhen të hidhura. Çfarë e lëndon shpirtin?
Të jetosh pa ia shijuar ujit thelbin e vet.
Njerëzit e mbajnë mendjen te vdekja dhe kjo botë lëndore.
Ata kanë dyshime për ujin e shpirtit.
Këto dyshime mund të zvogëlohen! Për të zgjuar nga gjumi
kthjelltësinë tënde,
përdore natën. Errësira dhe uji i gjallë
Janë dashnorja dhe dashnori. Lërini të rrinë bashkë zgjuar.
Kur tregtarët hanë derisa ngopen
dhe pastaj flenë si të vdekur,
ne, vjedhësit e natës, shkojmë në punë.
Përktheu: Ukë Buçpapaj
ObserverKult