Xhani Shqerra rrëfen takimet me të pasurit në vila e jahte: S’ndihem komod me luksin!

I ka provuar të gjitha, duke filluar nga moda, muzika e kërcimi dhe ka ndaluar në terrenin ku ecën i sigurt, botën e televizionit. Xhani Shqerra është moderatori i “Bel mondo”, formati ku ai sjell rrëfime e personazhe nga njerëz pasionantë. Për pasurinë dhe luksin e kronikave të tij nga Shqipëria deri në Amerikën Latine ku do të mbërrijë këtë sezon të ri televiziv, Xhani zbulon më shumë detaje në këtë intervistë të parë për “Panorama Plus”.

Bashkë me paskuintat e programit që sjell në ekran anën bukur të medaljes në këtë realitet ku dominon e keqja, ai zbulon se pse nuk i pëlqen të jetojë në luks. “Bel mondo” nis rrugëtimin e ri për këtë.

Xhani-2

Si do e përkufizoje këtë eksperiencë televizive, ku flet vetëm për njerëz dhe jetë të bukur?

Një mision! Për mua është një kërkim për të sjellë në pak minuta televizive anën tonë më të bukur, elegante, shpresëdhënëse! E bukura frymëzon, edukon, të pasuron! Spoti promocional i këtij sezoni ishte si një ftesë për dashurinë.

Ç’të shtyn të fokusohesh nga energjia pozitive, mendon se e mira do t’ia dalë më shumë se e keqja të tërheqë vëmendjen në ekran?

Jo vetëm në ekran, në çdo moment të ditës sonë duhet të tërhiqemi nga pozitivja, nga e bukura. E vërteta me siguri ka shumë anë, edhe interpretime po ashtu, por vizioni mbetet një. Ekrani ynë pasqyron sigurisht jetën tonë të përditshme, por mendoj se shqiptarëve iu është hyrë shumë në hak dhe nuk iu është treguar ana e tyre më e mirë. E bukura nuk është risi në kulturën tonë, madje me plot bindje them se jemi një ndër vendet dhe popujt më të bukur në botë, duke pasur parasysh edhe raportin popullsi-territor. Por duhet të mësojmë të tërhiqemi pak më shumë nga e bukura, ta njohim më shumë njëri-tjetrin dhe të promovojmë vlerat tona duke u bërë njësh. Ti shëtit në gjithë botën për realizimin e intervistave dhe reportazheve speciale.

Xhani-3

Ku do të shkelësh këtë sezon dhe për ty, cili ka qenë vendi më i mërzitshëm dhe ai më ekzaltues?

Udhëtimet në “Bel mondo” çdo të shtunë në “Klan Plus”, kanë qenë gjithnjë të lidhura me stilin e jetës së shqiptarëve, apo me personazhe, të cilat kanë një lidhje me Shqipërinë. Në këtë sezon mund të them se do të udhëtojmë shpesh dhe shumë larg, deri në Amerikën Latine.

Po nga personazhet e tua, cilat do të veçoje si më mbresëlënëse, apo që të kanë dhënë mësim të madh për jetën?

U bënë shumë vite që takohem me persona të ndryshëm, personalitete në fushat përkatëse dhe realisht, nga secili ke se çfarë mëson. Por këtë sezon, krejt rastësisht kam takuar një zonjë pensioniste, Rudina quhet, para së cilës jo vetëm jam emocionuar, pasi arti i saj, fuqia, historia më ka bërë të hesht e t’i përulem madhështisë së dinjitetit të saj. Do ta ndjekim në episodet e ardhshme. Jam i bindur që do të keni edhe ju të njëjtën qasje.

Të ka ndodhur të flirtosh me ndonjë prej të ftuarave, apo të ka rrahur zemra për dikë që e ke intervistuar në shtëpi?

Ah jo, je aq shumë i përfshirë në veprën e tyre, sa pëlqimi mbizotëron te kjo pjesë e s’lë vend për pëlqime të natyre tjetër. Duket se jeta jote televizive noton në luks.

Xhani-4

A mendon se paraja i ndryshon njerëzit? Në këndvështrimin tënd, a kanë shpirt të pasurit?

Është një pjesë e pashmangshme pasi të lexosh të bukurën te luksi është shumë e thjeshtë, e bën kushdo… Po ashtu, na jep mundësinë të ëndërrojmë. Por në ‘Bel mondo’ kam mësuar se nuk është i pasur ai që zotëron jahte, por kapiteni i saj, ai që e dashuron punën e tij, ka investuar shumë në formim, e njeh mjetin e tij në çdo pjesë, punon me pasion përballë çdo sfide dhe ia del mbanë. Ky është shpirti më i bukur dhe këtë përpiqem të transmetoj edhe në ekran.

Po te një personazh pa para në xhep, çfarë të duket aq e shtrenjtë sa nuk mund të blihet as me para?

Pasioni. Pasioni është ai që kurrë nuk mund të blihet dhe jo vetëm, paraja dhe pasioni nuk mund të shkojnë kurrë paralelisht.

Xhani-1

Nga vilat luksoze në jahtet e shtrenjta, ku do të zgjidhje për të jetuar apo lundruar?

Të tregohem i sinqertë, luksin e tepërt nuk e pëlqej. Vjen dita e dytë e ndihem i lodhur, aspak komod. Mos të harrojmë se jemi rritur në një vend shumë të thjeshtë dhe të varfër. Sado të pjekim përvojat tona, të rrisim të ardhurat apo eksperiencat, nuk jemi ende gati për të jetuar në ato ujëra. E shijoj, sigurisht, por me dozat e duhura. Mbase nipërit e mi do ta duan më shume se unë luksin, ndërsa unë sot i gëzohem edhe një çadre, barbeques në mal apo kanoes. Dhe më besoni, pas 3 orësh ngjitje në mal, këto të duken vërtet një luks. Madje, edhe këtë do ta shohim në ‘Bel mondo’ këtë sezon.

Politikani apo politikania që do të dëshiroje t’i hyje në dhomën e gjumit, për t’i bërë disa pyetje jashtë kornizave?

Unë për nga vetë natyra, jo vetëm të formatit, e kam thuajse të pamundur të dal jashtë kornizave. Për t’i parë ata jashtë tyre, nuk është e nevojshme t’i shkosh në dhomën e gjumit, mjafton të ndjekësh një nga seancat parlamentare apo në deklaratat nga sheshet. /PANORAMA.AL