Xhani Shqerra nis aventurën në Mediasset: Unë, drejtuesi i garës mes arkitektëve që do të përmirësojnë fasadat e Italisë
Moderatorin e njohur të “Bel mondo”, Xhani Shqerrrën, ky sezon i ri televiziv e gjen në setin e xhirimeve për programin italian, të cilin duhej ta kishte nisur në muajin prill, por u shty për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Për “Panorama Plus”, Xhani i ndau emocionet e tij për këtë rrugëtim të ri jashtë kufijve në karrierën e tij televizive.
Bëhet fjalë për një projekt televiziv, që ka të bëjë me një konkurs “real time” midis profesionistësh në fushën e arkitekturës dhe ku Xhani do të drejtojë dinamikat e lojës duke mbajtur të mbërthyer kësaj here edhe publikun italian në “Rete 4”, Mediasset.
“Është një konkurs mes arkitektësh në përmirësim të disa ambienteve dhe ku unë do të drejtoj dinamikat e lojës mes tyre dhe banorëve, te banesat e të cilëve do të bëhen ndryshime. Bëhet fjalë për objekte private, por edhe fasada publike të zonave rurale italiane”, tregoi Xhani për “Panorama Plus”.
Pyetjes nëse e ka lënë Shqipërinë për realizimin e këtij programi në Itali, ai iu përgjigj “Jo. Shkoj dhe kthehem nga Italia, duke qenë se s’do ta lë Shqipërinë dhe as ‘Bel mondo’.
Paralelisht ai do t’i japë një tjetër dimension programit të tij “Bel Mondo”, duke mos u ndarë kështu nga publiku shqiptar. Xhani ka rënë në sy të producentëve italianë për suksesin që ka pasur, i cili me elegancën, idetë e rafinuara dhe profesionalizmin e tij gjithnjë ka ditur të sjellë frymë të re në televizion.
Lajmin se kishte marrë ofertë për këtë program televiziv, Xhani e zbuloi gjatë një interviste për një media lokale të qytetit të tij të lindjes, Elbasanit.
Xhani është njohës i mirë i kulturës italiane, pasi ka studiuar dhe jetuar për disa vite në Itali, ku ka provuar karrierën si model dhe këngëtar, ndaj kjo e bën rikthimin e tij më të thjeshtë.
Në një intervistë të fundit për “Panorama Plus”, moderatori i “Bel mondo” rrëfeu detajet nga intervistat e tij në vila e jahte me njerëz të pasur dhe të pushtetshëm.
Me eksperiencën e tij televizive në Shqipëri, Xhani i ka provuar të gjitha, duke filluar nga moda, muzika e kërcimi dhe ka ndaluar në terrenin ku ecën i sigurt, botën e televizionit.
Aventurat rreth kronikave të tij nga Shqipëria deri në Amerikën Latine ku ka arritur të shkojë, Xhani i përkufizoi: “Një mision! Për mua është një kërkim për të sjellë në pak minuta televizive anën tonë më të bukur, elegante, shpresëdhënëse. E bukura frymëzon, edukon, të pasuron”.
Ndërkohë, le të presim suksesin e tij para publikut italian!
/Panoramaplus.al