WSJ: Elon Musk përdor kokainë, LSD dhe ketaminë, miliardat e tij në rrezik

Vitet e fundit, drejtues dhe anëtarë të bordit të kompanive të Elon Musk apo edhe njerëz të tjerë pranë njeriut më të pasur në botë janë shqetësuar se përdorimi i tij i drogës mund të ketë pasoja të mëdha jo vetëm për shëndetin e tij, por edhe për 6 kompanitë e tij dhe miliarda asete që ai mbikëqyr. Kështu shkruan gazeta amerikane “Wall Street Journal” (WSJ) duke raportuar edhe disa episode.

Ajo ka publikuar dëshmitë e disa personave që ishin dëshmitarë të përdorimit të drogës prej tij dhe disa të tjerëve që ishin në dijeni të faktit se Musk përdor shpesh LSD, kokainë, ketaminë, ekstazi dhe kërpudha psikodelike gjatë ahengjeve private në mbarë botën, ku pjesëmarrësit firmosin marrëveshje të moszbulimit ose heqin dorë nga telefonat e tyre celularë për të hyrë.

WSJ tregon gjithashtu disa episode specifike. Në vitin 2018, për shembull, Musk mori disa tableta LSD gjatë një feste të organizuar në Los Angeles. Në të njëjtin vit ai dyshohet se ka pirë marijuanë në publik në shfaqjen e Joe Rogan. Një vit më pas ai do të festonte me “kërpudha magjike” në një event në Meksikë. Në vitin 2021, ai thuhet se ka marrë ketaminë në mënyrë rekreative me vëllain e tij, Kimbal Musk në Miami gjatë një feste në shtëpi gjatë Art Basel.

Sipas gazetës amerikane, Musk ka përdorur gjithashtu droga të paligjshme me Steve Jurvetson, ish-anëtar i bordit të drejtorëve të Tesla dhe anëtar aktual i bordit të Space. WSJ raporton se ai ishte nën ndikimin e drogës edhe në vitin 2018 kur ai postoi në Twitter planet e tij për të privatizuar Tesla, duke nxitur hapjen e një hetimi të autoriteteve.

Njerëz të afërt me Musk, i cili tashmë është 52 vjeç, sigurojnë gazetën se përdorimi i drogës prej tij po vazhdon, veçanërisht konsumimi i ketaminës, të cilën pronari i Tesla pretendon se e merr kundër depresionit me një recetë mjekësore. Ndërsa avokati i tij Alex Spiro siguron se Musk “u nënshtrohet rregullisht testeve të drogës në SpaceX dhe nuk ka dështuar kurrë”.

Nëse do të provohej përdorimi i paligjshëm i drogës, përveç shkeljes së politikës së SpaceX dhe Tesla, ka të ngjarë që rasti të përfaqësonte gjithashtu një shkelje të politikave federale që mund të rrezikonte miliarda dollarët e SpaceX në kontratat qeveritare me NASA-n. Është e vetmja kompani amerikane e autorizuar për të transportuar astronautë në ISS ndërsa Pentagoni blen raketa dhe përdor rrjetet e tij satelitore.

Nuk duhet harruar se Musk, si CEO dhe themelues i SpaceX ka leje për të pasur informacione të klasifikuara në lidhje me sigurinë kombëtare. Musk është pjesë përbërëse e vlerës së kompanive të tij dhe rrezikon potencialisht rreth 1 trilion dollarë asete, dhjetëra mijëra vende pune dhe shumë të ardhura nga programi hapësinor i SHBA-së.

Nuk ka vonuar përgjigjja e Musk. “Nëse drogat me të vërtetë do të ndihmonin në përmirësimin e produktivitetit tim neto me kalimin e kohës, unë patjetër do t’i merrja ato!”, – shkroi Musk në platformat sociale. Musk përsëriti se megjithatë ai udhëhoqi me sukses “Tesla-n për t’u bërë kompania më e vlefshme e automobilave në botë” dhe SpaceX “kompania më e vlefshme hapësinore”.

“Çfarëdo që të bëj, duhet të vazhdoj të bëj” – shkroi ai. ©LAPSI.al