Wolff, kunj për “tradhëtinë” e Hamilton: “Si të shohësh ish-të dashurën me një tjetër”
Lewis Hamilton po përgatitet për sezonin e tij të parë si pilot i Ferrarit. Pas dymbëdhjetë vitesh te Mercedes, britaniku po mësohet me realitetin e ri. Në dhjetë ditët e fundit, ai ka kaluar momentet e para në të kuqe: debutimi me Ferrarin, fotot me Leclerc, dizajni i ri i helmetës ku dominon e verdha, dhe imazhet me kostumin e ri të ekipit. Rrjetet sociale po ziejnë. Ndërkohë, Toto Wolff, ish-shefi i tij dhe një mik i madh, po i vëzhgon të gjitha nga distanca. Në një intervistë për Sky Sports, shefi i Mercedes përdori një metaforë për të përshkruar ndjenjat e tij kur e pa Hamilton me të kuqen e Ferrarit.
Ditët e para të Hamilton me Ferrarin
Një faqe e re historie po shkruhet çdo ditë, por më e mira ende nuk ka ardhur. Dita e parë si pilot i Ferrarit tashmë është e paharrueshme: takimi me tifozët, fjalët e para në italisht, xhirot e para me SF-23, dhe madje aksidenti në Barcelonë kur u përplas me barrierat. Tifozët e Hamilton janë entuziastë, duke shpërndarë me krenari fotot e tij me të kuqen legjendare. Edhe shumica e tifozëve të Ferrarit janë të lumtur me ardhjen e tij. Por në anën tjetër, ka edhe nga ata që e kanë të vështirë ta shohin. 12 vitet me Mercedesin nuk mund të harrohen lehtë. Ato do të mbeten gjithmonë pjesë e pandashme e historisë sportive dhe jetës së Lewis Hamilton.
Toto Wolff dhe hidhërimi i tij
Pas kaq shumë vitesh krah për krah, Toto Wolff foli sërish për pilotin 40-vjeçar. I pyetur nga Sky Sports se si u ndje kur pa për herë të parë Hamiltonin me kostumin e Ferrarit, Wolff u përgjigj: “Le të themi se është pak si të ndahesh miqësisht me dikë, gjithçka është në rregull… por pastaj e sheh për herë të parë me një partner të ri”. Megjithatë, ai theksoi se nuk ka asnjë mëri ndaj Hamiltonit: “Jam vërtet i lumtur për të. I thashë se ato foto ishin ikonike, se u trajtua jashtëzakonisht mirë. Me Lewis, asgjë nuk më surprizon më”.