Wake Up/ “Jeho”, Alban Male dhe Fjoralba Ponari zbulojnë risitë e festivalit më të ri në TCH
Një “beat” mund të shndërrohet në super hit! Me siguri mund ta keni lexuar këtë fjali në faqen e Top Channel. Bëhet fjalë pikërisht për “Jeho”, festivali më i ri i muzikës moderne shqiptare, i cili do të nisë në muajin janar në ekranin e Top Channel. Ky festival do të jetë një risi në ekranet shqiptare dhe do të vijë nën kujdesin e drejtorit artistic, Alban Male dhe nën moderimin e Fjoralba Ponarit. Do të transmetohet çdo të diel për tre muaj dhe do të përfshijë rrymat dhe zhanret muzikore më të pëlqyera botërore të kohëve të fundit. Për të gjithë autorët e producentët që kanë krijimet e tyre; afrobeat, hip-hop, rnb, dancehall, regatone, house, etj, por që nuk kanë patur mundësi promovimi sa duhet në media, ky është formati ideal për të realizuar një ëndërr të madhe. Në secilën prej puntatave që do të transmetohen të dielave në Top Channel, do të marrin pjesë 4 deri në 5 artistë dhe gjithsej do të jenë 50-60 të tillë. Do të ketë dy gjysmëfinale dhe një finale live ku do të shpallet edhe fituesi. Fituesi do të ketë mundësi që të realizojë një duet me një nga artistët më të njohur të muzikës hip-hop në Shqipëri. Votimi i më të mirit do të bëhet përmes Web-it, Facebook dhe Instagram, pasi rrjetet sociale lidhen më së miri me këtë lloj muzike. Po ashtu, këngët do të transmetohen në Top Albania Radio, MY MUSIC TV, si dhe në faqen e web-it të Top Channel, duke iu dhënë kështu artistëve mundësi të shumëfishta promovimi.