Vr*sja në Ferizaj, reagon Presidenca e Kosovës: Implikimi i Presidentes, rrezik për familjen e saj!
Presidenca e Kosovës ka reaguar pas lajmit se një efektiv policie në Kosovë, vrau me armë zjarrin 89 vjeçarin Sadri Sadriu, i cili mendohet se është xhaxhai i Zotëriut të Parë, Prindon Sadriut, bashkëshortit të Presidentes Vjosa Osmani.
Sipas mediave vendase, ngjarja supozohet se ka ndodhur për motive të dobëta, ku viktima Sadriu dyshohet se ka ngacmuar dhe dhunuar seksualisht dy vajza, të afërme të policit të arrestuar Festim Ramadani.
Gjithashtu, mediat raportojnë se se Prindon Sadriu dhe Vjosa Osmani ishin futur në një grup komunikimi në Facebook, ku familja Ramadani kishte rrëfyer gjitha pretendimet e tyre për tashmë viktimën Sadri Sadriu, për situatën e ndodhur.
Megjithatë, në një deklaratë për media, shefi i stafit të Presidentes Osmani, Bekim Kupina, cilëson se kjo tendencë është me qëllim të qartë denigrimi dhe rrezikimi të jetës së Presidentes dhe familjes së saj të ngushtë.
Ai tha se Presidentja është në kontakt të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë në mënyrë që ky plan i qartë për rrezikimin e jetës së saj e të familjes të trajtohet me prioritet.
Gjithashtu, Kupina bëri me dije se çifti presidencial nuk përdorin asnjë grup komunikimi në asnjë rrjetet sociale dhe pretendimet e ngritura nuk qëndrojnë.
“E gjithë kjo është shpifje me qëllim të implikimit të Presidentes në situata për të cilat as nuk ka njohuri e as lidhje. Presidentja dhe as Zotëria i Parë nuk përdorin asnjë grup komunikimi në asnjë rrjet social. Kjo është tërësisht e pavërtetë dhe tendencioze.
Kjo tendencë është me qëllim të qartë denigrimi dhe rrezikimi të jetës së Presidentes dhe familjes së saj të ngushtë. Presidentja do t’i kundërshtoj me çdo mjet ligjor këto tendenca dhe tashmë ka kërkuar nga institucionet e sigurisë që ta trajtojnë këtë me urgjencë.
Tendenca për të ndërlidhur rastin e mbrëmshëm me Presidenten dhe familjen e saj të ngushtë e shndërron atë në një objektiv, duke vënë në rrezik jetën e tyre.
Kjo nuk ka të bëj me standard profesional të raportimit në media. Presidentja është në kontakt të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë në mënyrë që ky plan i qartë për rrezikimin e jetës së saj e të familjes të trajtohet me prioritet”, tha Kupina.
Ngjarja e rëndë u shënua mbrëmjen e djeshme, në fshatin Bibaj të Ferizajt, ku efektivi i policisë, Festim Ramadani qëlloi për vdekje 89 vjecarin, Sadri Sadriu në parkingun e një restoranti ku po zhvillohej një dasmë.
Sipas mediave, viktima ka qenë në dasmën e një të afërmi të tij, ndërsa polici jo, ndërsa ende nuk bëhen me dije saktësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë.
voxnews.al