Vritet boksieri shqiptar në Gjermani

Boksieri shqiptar nga Kosova, Besar Nimani, është vrarë mbrëmjen e kësaj të shtune me armë zjarri në Bielefeld të Gjermanisë.

Mediat gjermane bëjnë me dije se Besar Nimani 38 vjeç është qëlluar për vdekje jashtë një restoranti në Gjermani. Sipas informacioneve paraprake një grup prej rreth 6 personash i bënë pritë shqiptarit, duke e qëlluar me breshëri plumbash.

Dëshmitarët okularë thanë se dëgjuan rreth 8 të shtëna me armë zjarri. Lajmin e trishtë për vdekjen e boksierit e ka konfirmuar edhe vëllai i tij, Berat Nimani, përmes një postimi në rrjete sociale.

“Sot ne një pritë në Bielefeld te Gjermanisë është vra vllau im Besar Nimani. Ishalla Zoti na bashkon ne xhenet me ta. Përjet e mot krenar me ty, shpirtin me ta marr tradhtisht kan mujt vra por me poshtru kurr askush. Te dua”, shkroi ai.

Nuk dihen ende rrethanat e ngjarjes. Policia po punon për zbardhjen e plotë të krimit. Besar Nimani është tentuar të vritet edhe në vitin 2013.

Nimani gjatë karrierës së tij si boksier profesionist ka zhvilluar 27 ndeshje, ku ka arritur që të fitojë 26 prej tyre, ndërsa ka pësuar vetëm një humbje.

/vizionplus.tv/