Vrau vëllain dhe kunatën/ Muskurti në gjykatë: Kam bërë 7 kallëzime për ta
Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për Arsen Muskurtin, i cili akuzohet për vrasjen e vëllait dhe kunatës. Ngjarja që tronditi opinionin publik ndodhi pasditen e së martës në Tiranë brenda një agjencie imobiliare në zonën e “Myslym Shyrit”. Arsen Muskurti u largua menjëherë nga vendngjarja dhe u arrestua pas dy orësh. Përmes avokatit, ai ka pretenduar se ka bërë shtatë kallëzime për vëllain dhe kunatën.
“Armën e kam patur me leje. Kallëzimin e fundit e kam bërë ditën e vrasjes”, ka deklaruar Muskurti.
Avokati kërkoi 30 ditë kohë për të bërë një akt për giendjen psikike, duke theksuar se klienti përdorte ilaçe. Prej më shumë se 1 viti vëllezërit Muskurti ishin në një përballje gjyqësore për një shumë të konsiderueshme financiare në lidhje me pronësinë e një agjencie turistike, të krijuar bashkë vite më parë. Në këtë proces civil viktima Dritan Muskurti në rolin e paditësit, kërkonte nga vëllai i tij Arsen, kthimin e një shumë prej më shumëse 17 milionë lekësh të rinj.
“Detyrimi i të paditurit t’i kthejë paditësit shumën prej 17.3 milionë lekë si dhe interes mbi këtë shumë nga data 01.10.2018 deri në ekzekutimin e detyrimit”, thuhej në objektin e padisë.
Ky proces kishte nisur në janar të vitit të kaluar në Gjykatën e Tiranës, ndërsa seanca e radhës ishte caktuar në 27 shtator.