Vrasja në ish-Bllok, dorëzohet pas katër muajsh në kërkim Ervin Mata

Ervin Mata, biznesmeni i shpallur në kërkim për ngjarjen në Ish-Bllok, është vetë dorëzuar mbrëmjen e djeshme në Policinë e Tiranës.

Mata, prej rreth 4 muajsh në kërkim, ka zgjedhur ti dorëzohet drejtësisë, ndërsa ende nuk dihet në çfarë kushtesh e ka ndërmarrë një veprim të tillë.

Kujtojmë se Ervin Mata, u përfshi në konfliktin me armë të ndodhur në 5 tetor në një lokal në Ish-Bllok, ku u qëllua për vdekje Fabjol Gaxha, ndërsa mbetën të plagosur Ervis Martinaj dhe Eljo Hato. Gaxha dyshohet se u qëllua për vdekje nga ish-komandoja Mervjol Bilo, i cili vijon të jetë ende në kërkim.

Por ndërsa fillimisht, pati dyshime se konflikti erdhi si pasojë e një ngacmimi që i ishte bërë të fejuarës së Matës, këngëtares së njohur Elvana Gjata, hetimet vazhduan edhe për motive që kishin të bënin për prishje të pazareve të drogës.

© Panorama – Të gjitha të drejtat e rezervuara