Vrasja e një gruaje trondit Prishtinën/ U grabitën në prani të fëmijëve
Një ngjarje mjaft e rëndë ka ndodhur rreth orës 20.20 të mbrëmjes së kësaj të mërkure në Prishtinë. Në rrugën “Dalip Alshiqi” të kryeqytetit të Kosovës u vra nga persona të panjohur Liridona Murseli, gruaja e Naim Murselit, këshilltarit të ish-presidentit të Kosovës, Behgjet Pacolli.
Sipas mediave të Kosovës, familja Murseli dyshohet se u përballën fillimisht me disa grabitës, të cilët u morën sendet me vlerë dhe më kanë qëlluar me armë. Njëri nga plumbat ka prekur 33-vjeçaren duke e lënë të vdekur në vend. Kjo ngjarje ka tronditur jo vetëm familjen Murseli, por të gjithë opinionin publik.
Policia njoftoi se dhe hetimet tashëm kanë nisur për të zbardhur rrethanat dhe motivet e rastit. Gazeta Sinjali ka raportuar edhe disa detaje nga rrëfimi i Naim Murselit, para zyrtarëve policorë për ngjarjen tragjike. Ai u ka thënë hetuesve se ndodhej bashkë me gruan dhe fëmijët në veturë, kur papritmas u kanë zënë pritë me një tjetër automjet disa grabitës, të cilët i plaçkitën.
Murseli u ka thënë hetuesve policorë se grabitësit fillimisht u kanë kërkuar gjërat me vlerë, duke marrë paratë dhe telefonat. Ai është shprehur se në këtë situatë të tmerrshme është detyruar të largojë fëmijët nga vetura, por aty mbeti bashkëshortja e cila u vra me armë zjarri. Mediat e Kosovës raportojnë se autorët dyshohen të kenë qenë 2 persona.
Njëri prej tyre ka qenë i armatosur ndërsa tjetri drejtonte automjetin tip BMW me targa të huaja. Të njëjtat burime raportojnë se këto janë vetëm disa nga detajet që Museli ka rrëfyer para policisë megjithatë pistat e hetimit pritet të zgjerohen dhe nuk do të hetohet vetëm versioni i tij.