Vrasja e Jurgen Kurtit/ 3 të arrestuarit nuk tregojnë porositësin, ja sa dyshohet se u paguan

Detaje të reja janë zbuluar nga ekzekutimi i Jurgen Kurtit, pranë banesës së tij në Tiranë, ngjarje e ndodhur disa ditë më parë.
“Panorama” mëson se tre të arrestuarit ditën e sotme, të dyshuar si bashkëpunëtorë të autorit i cili është në kërkim, kanë pranuar krimin në polici.
Ata kanë shpjeguar edhe mekanizmin se si është planifikuar ekzekutimi, por kanë refuzuar të tregojnë emrin e atij që ka porositur vrasjen.
Ndër të tjera dyshohet se vrasja është kryer me pagesë dhe shifra kap vlerën e 30 mijë eurove.
Policia vuri në pranga ditën e sotme Elsi Levendin, 21 vjeç, lindur në Athinë/Greqi dhe banues në Tiranë; Alesio Berberi 33 vjeç, lindur në Patos dhe baunes në Patos, Fier dhe Olsi Qalliaj, 22 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Patos.
Policia sekuestroi një automjet që u ka shërbyer autorëve për t’u larguar nga vendi i ngjarjes, si dhe dy makina të tjera luksoze. Gjithashtu u gjet dhe një armë zjarri “Pistoletë TT”, fishekë luftarakë, një sasi prej 2470 Euro e Lekë shqiptare, 13 aparate celular, si dhe një sasi e vogël lënde narkotike.
Jurgen Kurti u ekzekutua me armë mbrëmjen e 18 Marsit, poshtë banesës së tij në kryeqytet. Kurti ishte një emër i njohur për policinë, pasi gjatë vitit 2016 dhe 2017 u përfol si autor i dyshuar në dy vrasje, të cilat më pas nuk u provuan dhe ai u la i lirë./Gazeta Panorama