Vrasja e Jurgen Dukës në market, lirohet miku i tij

Gjykata e Tiranës ka caktuar detyrim paraqitje për moskallëzim krimi për Orgest Drazhin për vrasjen e ndodhur tre ditë më parë ku viktimë mbeti Jurgen Duka.

“Duke ju uruaj nje dite te mbare, ju bej me dije se lidhur me masen e sigurimit ne ngarkim te shtetasit Orgest Drazhi, seanca eshte zhvilluar diten e djeshme date 16.12.2021, me prokuror te çeshtjes Petrit Hysi dhe gjyqtare Oltjona Goxha. Ne perfundim te gjykimit me kerkese te prokurorise dhe ne baze te nenit 244/3 te K.Pr.Penale ku percaktohet se gjykata nuk vendos dot nje mase sigurimi me te rende se ajo e kerkuar nga ana e prokurorit, gjykata vendosi caktimin e mases se sigurimit “Detyrim per tu paraqitur ne policine gjyqesore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Tiranës.

Si ndodhi vrasja e Dukës?

Jurgen Duka, 29 vjeç, banues në Kamzë dhe me precedentë penalë ka mbetur i vrarë me armë zjarri nga efektivi i policisë Arbër Sula, banues në Sauk dhe agjent krimesh në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, vetëm 20 minuta pas mesnatës së 14 dhjetorit. Ngjarja e rëndë ndodhi në një market pranë ‘Vasil Shantos’. Duka ishte në market me një grup shokësh për të blerë disa pije alkoolike, por paralelisht me ta, ishte edhe efektivi i policisë së Dibrës, Arbër Sula së bashku me miqtë e tij. Sherri ka nisur në momentin kur pesë të rinjtë kanë mbërritur në kasë dhe do të bënin pagesën. Viktima ka nisur të konfliktohet me Sulën, për faktin se kush do të paguante i pari. Mes tyre ndërhyn dhe shoku i 29-vjeçarit, por situata përshkallëzohet. Pesë të rinjtë nisin të përplasen fizikisht dhe pavarësisht ndërhyrjes së shitësit shkrepet arma dhe plumbi përfundon në zemrën e Dukës. Duka u dërgua në spitalin e Traumës për të marrë ndihmën mjekësore, por nuk ia doli dot që tu mbijetonte plagëve të marra.

(a.b)/dosja.al