Vladimir Blazev –i vetmi anëtar i DNK që i mbijetoi zjarrit tragjik në diskotekë

Vladimir Blazev – Panço, anëtari i njohur i grupit hip-hop DNK, ndodhet në respirator në Qendrën Klinike të Shkupit pasi pësoi djegie në fytyrë dhe dorë gjatë një incidenti tragjik në një diskotekë në Koçan të Maqedonisë së Veriut. Panço është i mbijetuari i vetëm nga grupi që po performonte atë natë.

Lajmin e ka konfirmuar motra e tij, Jadranka Nikolovska, e cila u shpreh:

“Për momentin di që nuk është në rrezik për jetën, por gjendja e tij mbetet e rëndë. Nuk kam ende informacion për Andrej dhe anëtarët e tjerë të grupit.”

Kush është Panço?
Vladimir Blazev – Panço është një nga themeluesit e grupit DNK, bashkë me Andrej Gjorgjev. I krijuar në fillim të viteve 2000, DNK është një nga grupet më të njohura hip-hop/r’n’b në Maqedoni dhe rajon, të njohur për tekstet emocionale dhe tingujt modernë urbanë.

Disa nga hitet e tyre më të njohura përfshijnë: Fala, Ako utre me nema, Srce, Amajlija dhe Romani.

Përveçse frontmen i grupit, Panço është edhe DJ, producent dhe themelues i SureShotz Entertainment, një agjenci që ka sjellë artistë dhe DJ të njohur nga Ballkani dhe më gjerë.

Ngjarja ka tronditur komunitetin artistik dhe fansat, të cilët po luten për shërimin e shpejtë të Panços, të vetmit të mbijetuar nga grupi atë natë fatale. Gjendja e tij shëndetësore mbetet kritike, ndërsa priten më shumë informacion mbi rrethanat e incidentit dhe fatin e pjesës tjetër të grupit.

iconstyle.al