“Vjedhja e shekullit”. Shtypi francez duartroket PSG për shitjen e Neymar

Braziliani Neymar tashmë është zyrtarisht lojtar i ri i Al-Hilal. Sulmuesi shkon në Arabinë Saudite për një ofertë të çmendur. Mes një page fikse, bonusit të nënshkrimit, marrëveshjes së sponsorizimit dhe bonuse të ndryshme, shifra mund të arrijë në 320 milionë në dy vjet. Pa harruar përfitimet e bujshme të përfshira në marrëveshjen me sauditët. Këtu futen një mega vilë luksoze, avion privat, staf të madh në dispozicion 24 orë në ditë dhe shumë e shumë më tepër.

Në të njëjtën kohë, Paris Saint Germain shpëton nga një pagë shumë e rëndë. Si dhe një lojtar që kishte shprehur vazhdimisht dëshirën për t’u larguar nga kryeqyteti francez. Për më tepër, klubi arkëton gjithashtu një çek të madh prej 90 milionë eurosh. Një operacion, ai i mbyllur nga parisienët, i vlerësuar nga shtypi transalpin. E gazeta Le Parisien nuk ngurroi ta cilësonte si “vjedhjen e shekullit”.

LE PARISIEN DUARTROKET SHITJEN E NEYMAR

Neymar kishte ardhur te PSG nga Barcelona në vitin 2017 për shumën rekord prej 222 milionë euro. Tani fluturon në Saudi Pro League në Arabi për një shumë që, duke përfshirë bonuset, mund të kalojë 100 milionë: “Historia do të kujtojë se blerja e PSG më e shtrenjta në histori do të ketë çuar… në shitjen më të madhe ndonjëherë”, shkruan Le Parisien. “Në një moment tjetër, në një klub tjetër, me një lojtar tjetër, rasti do të ishte thuajse një anekdotë. Së cilës vështirë se do t’i kushtonim vëmendje. Por në kontekstin parisien të momentit dhe duke marrë parasysh parametrat e ndryshëm të kësaj dosjeje të mprehtë, largimi i Neymar te Al-Hilal duket si vjedhja e shekullit për Parisin”.

“Një shumë absolutisht monumentale dhe pothuajse e papritur për PSG – vazhdon gazeta franceze -. Klubi do të marrë pak më pak se gjysmën e çmimit të investuar për lojtarin gjashtë sezone më parë. Asnjë klub evropian nuk do të kishte qenë në gjendje të shkruante një çek të tillë për të nënshkruar me një lojtar të talentuar, problemet fizike dhe jo-futbollistike të të cilit kanë ulur ndjeshëm vlerësimin në merkato ndër vite. Në javët e fundit Cies e ka vlerësuar Neymar me 20 milionë euro, ndërsa faqja e Transfermarkt, e specializuar në llogaritjen e vlerave të lojtarëve në merkato, me 60 milionë euro”.

DHURATË NGA PERËNDIA

Le Parisien vazhdon: “Edhe një futbollist që ka humbur më shumë se 120 ndeshje me PSG-në për shkak të dëmtimeve, që po kthehet nga një operacion i ri në kaviljen e djathtë dhe që nuk ka luajtur një ndeshje zyrtare që nga 19 shkurti, vazhdon të bëjë të ëndërrojë Arabinë Saudite. Një investim kolosal për një rezultat të pasigurt”. Në fund të fundit një operacion i mrekullueshëm për parisienët: “Për Parisin, kjo shitja më e madhe në historinë e klubit. Është një dhuratë nga perëndia. Kjo i lejon të shpëtojë arkat dhe të kursejë një pagë vjetore astronomike, e vlerësuar në gati 40 milionë euro”.

Lapsi.al