Vizitorja rrëzon pa dashje veprën e artit 42 mijë USD
“Ju lutemi mos e prekni veprat e artit”. Shpesh na vjen në mendje pse ky paralajëmrim është ende i nevojshëm në galeritë e artit në mbarë botën. Dashamirësit e artit në Miami u shokuan të enjten mbrëma, kur një koleksioniste rrëzoi aksidentalisht në tokë një skulpturë me vlerë 42 mijë dollarësh të artistit amerikan, Jeff Koons. Vizitorja e goditi atë me gisht, thanë dëshmitarët në ngjarje.
Statuja, një nga veprat ikonë të “qenve balonë” të Koons u thye në copa të vogla dhe u desh të fshihej me fshesë nga stafi i galerisë. Aksidenti ndodhi gjatë natës ekskluzive të hapjes vetëm me VIP-a të Art Wynwood, një panair arti bashkëkohor që mbahet çdo vit në Miami të Floridas. Artisti vendas Stephen Gamson tha për Miami Herald se po e admironte skulpturën, kur një “grua e moshuar” e goditi atë, duke e rrëzuar nga piedestali. Në fillim ai mendoi se ishte pjesë e një performance, por shpejt e kuptoi se kishte qenë një aksident.
“Kur ajo ra në tokë, ishte si një aksident automobilistik që tërheq një turmë të madhe njerëzish në autostradë” – i tha Gamson gazetës. Për fat të mirë për gruan, skupltura mbulohet nga siguracioni, tha Bénédicte Caluch, një këshilltar arti me galeritë e Arteve të Bukura Bel-Air që përfaqëson skulpturën. “Ishte një aksident!” – tha Caluch për Miami Herald. “Të gjithë erdhën për të parë se çfarë ndodhi.” Ajo shtoi se gruaja që shkaktoi dëmin, e cila mbeti e paidentifikuar, ishte një koleksioniste arti.
“Jeta sapo u ndal për 15 minuta me të gjithë përreth,” i tha New York Times, Cédric Boero, i cili gjithashtu punon për galeritë e Arteve të Bukura Bel-Air. Ai shtoi se një koleg foli me gruan, e cila i tha se ndihej “shumë keq” dhe se “thjesht donte të zhdukej”. Por pavarësisht se është copëtuar në mijëra pjesë, ka ende interes për të blerë skulpturën e shkatërruar. Vetë Gamson ofroi ta blinte atë sepse, siç shkroi në llogarinë e tij në Instagram, “ka një histori vërtet interesante”.
Artisti Jeff Koons, 68 vjeç, nuk ka bërë asnjë koment për incidentin. Gama e tij e skulpturave të “Qenve balonë” janë ndër veprat më ikonike të artit bashkëkohor dhe janë shitur për dhjetëra milionë dollarë. Disa janë të mëdha – deri në 3 metra – por “fatkeqi” ishte vetëm një qenush, me gjatësi 40 cm. Në vitin 2019, Koons bëri histori kur skulptura e tij “Lepuri” u shit në ankand për 91.1 milion dollarë çmimi më i lartë i shitjes ndonjëherë për një artist të gjallë. ©LAPSI.al