Viti i ri shkollor/ Më pak nxënës në qarkun juglindor, emigracioni sjell mbylljen e disa klasave të para
Sot ka nisur procesi mësimor edhe në qarkun juglindor ku nën juridiksionin e DRAP Korcë janë 5 zyra arsimore ajo e Korcë- Pustecit, Maliqit, Pogradecit, Devollit dhe Kolonjës.
Ajo çka vihet re për vitin 2023- 2024 është ulja e nxënësve në këtë qark për klasat e para me rreth 228 më pak se vitin e kaluar. Numri i nxënësve që ulen për herë të parë në bankat e shkollës për këtë vit është 1526 ndryshe nga viti i kaluar kur numri i tyre shkonte në 1754 nxënës.
Këtë vit edhe pse ka pasur ndryshime ligjore ku në klasën e parë janë regjistruar edhe nxënës të cilët ende nuk kanë mbushur moshën 6 vjeçare duket se numri është tepër i ulët.
Janë 110 nxënes të cilët janë regjistruar në klasën e pare të cilët mbushin moshën deri në muajin dhjetor. Nëse nuk do të kishim edhe ndryshimet ligjore ku prindërve u lind e drejta për të regjistruar fëmijët ende pa mbushur moshën në qarkun juglindor shifra për nxënësit e klasës së parë do të ishte 1416 nxënës e thënë ndryshe 338 nxënës më pak.
DRAP në një informacion për mediat pranon rënien e numrit të nxënësve duke u shprehur se janë mbyllur disa klasa të para ( rreth 7 klasa të mbyllura) në disa shkolla por nuk ka shkolla të mbyllura sipas saj. Rënia e numrit të nxënësve do të sjellë edhe reduktim të orëve të mesuesve ku një pjesë e tyre mund të mbeten jashtë sistemit të punësimit në arsim. Duket se situata ekonomike e shqiptarëve është tepër e vështirë ku një pjese e tyre kanë emigruar dhe lindshmëritë sa vijnë e janë më të pakta në qarkun e Korcës.