Viktor Zhusti i përlot të gjithë: Dikush më pret “atje lart”, më në fund do çlirohem nga ankthi, dhimbjet dhe acarimet
Aktori i njohur Viktor Zhusti ishte një prej konkurrentëve VIP në spektaklin e kërcimit “Dancing with the Stars”, që kishte finalen të premten në “Vizion Plus”. Edhe pse nuk fitoi, Zhusti i cili i çuditi të gjithë me energjinë dhe stilin e tij, ka shkruar një status në Facebook, duke prekur zemrat e fansave dhe miqve. Mes tyre ka komentuar dhe kryetari i jurisë së “DWTS”, Ilir Shaqiri ndërsa i thotë: “Sikur të kërceje siç ke shkruar sot do ishe Étoile ne Scala, megjithatë zemra jote kërceu e tillë për 12 puntata!”. Më poshtë teksti i plotë i artistit 76-vjeçar, që do t’ju bëjë të përloteni:
FALËNDERIM ! (E pse jo, dhe pakëz nostalgji )
“Dancing With The Stars, Albania 7” (DWTHS), mbaroi. Ndritshëm! Bujshëm!Suksesshëm!Jo kurdoherë kthej kokën prapa për të gjykuar rrugën e përshkuar, por, në këtë rast, ndjej të më tërheqë një detyrim që, pas çdo përpjekje për t’a shlyer, veç rritet. 12 javë në këtë maratonë artistike! Edhe ajo që më dukej e pabesueshme, u bë e mundur!Gjatë përgatitjeve, kur koha kalonte me shpejtësi të pazakontë, në ankthin e përditshmërisë, të gjithë bashkëpuntorët përreth, më dukej se thjesht “bënin detyëen”, ndihmonin dhe se “gjithë bota e vëmendja ishim ne, që na quanin ose vetëquheshim VIP!!! Tani, çliruar nga “ankthi i garës”, e parë në një optikë tjetër, kuptoj se, ata ishin “protagonistet e heshtur” pa të cilët, ky spektakël, jo vetëm nuk do të kish shkëlqimin e festës, siç qëenë të vërtetë, por as do qe i mundur. MIRENJOHJE TË GJITHËVE!
Së pari, falënderoj përzemërsisht, partneren dhe drejtuesen time artistike OLTA AHMETAJ! E kam lodhur. Shumë herë dhe dëshpëruar me mosarritjet, por… këto ishin mundësitë e mia! Ç’t’i bësh! Në Dancing, si dhe në jetë, nuk na takon çdo herë partneri i përshtatshëm…
Falënderoj gjithashtu dinjitozen plot hir LORI BALA dhe të bukurën gjithë dritë HELGA SARACI, që në dy javë të ndryshme, i kisha partnere në spektakël. Punova me secilën vetëm tre ditë! Kohë e mjaft për t’u mrekulluar! Meteorët, nuk e ndrçojnë çdo natë qiellin toneë.
JURI E NDERUAR ! Emma Andrea, Alfred Kaçinari, Julian Deda, Ilir Shaqiri, mirënjohje! Më keni gjykuar me zemër të ngrohtë, jo mendje të qetë! Në çdo notë, më shumë se rezultati, shihja shkallën e fisnikërise Tuaj, shoqëruar me konsideratë e përzemërsi ndaj meje. Ndoshta, Ju dhashë më pak nga ç’prisnit! Me siguri, më dhatë më shumë nga ç’prisja ! JU FALEMINDERIT!
Një falënderim, tepër i veçantë për HOLTA KOLANECI-DULAKUN, producenten largpamëse, të bukur, të mençur, me mendje e zemër fisnike, prej të cilave buron aq mirësi e mirëkuptim, sa qeë DËTHS, nuk është më një “program televiziv”, por festë hareshme!
Sikur të ishte e mundur e pamundura, çdo natë do t’i shtrija krahët deri në fund të sallës dhe më pas, ekstremisht larg në hapësirë, për të mbështjellë ne një përqafim të ngrohtë, spektatorë e teleshikues që si gjatë mbrëmjes së spektaklit, ashtu dhe më pas në rrjetet sociale, më ishin aq pranë e dashamirës, sa ndjehem pafundësisht i detyruar ndaj tyre!
Dhe se fundmi: Kontratën e parë, për të marrë pjesë në DËTHS, producentja e bëri me mua, në vitin 2010, kur isha 68 vjeç! Kontratën e dytë, këtë vit, e bëri përsëri me mua, në moshën 76 vjeç! Nëse do mendojë edhe për ndonjë kontratë të tretë, besoj që duhet t’a rregullojë e bindë ZOTIN ! Sepse, ndjej dhe unë, prej kohësh, një dorë të zgjatur, dikush më pret “atje lart”, që, si të çlirohem nga ankthi, dhimbjet dhe acarimet, nga shpirt’ e mendje-vogëlsitë, nga gjithë graviteti i së keqes dhe interesave meskine që na mbajnë të lidhur në tokë, që na zvogëlojnë, rrudhin e përçudnojnë si “qenie materiale”, të ngjitem atje, në një botë fluide, interne, pa gravitet, ku shpirti i çliruar tërësisht, do të vërtitet i lirë midis yjeve, çmendurisht, në ciklin e pandalshëm të jetë-përjetësisë… Ai, për mua do të jetë i treti, më i madhi, i ndritshmi, fantasmagoriku “DWTHS i vitit dy mijë e … e… Dhe kur të ndodhë kjo, ndonjë nga njerëzit e dashur, që do më kenë mbetur akoma atje, midis jush në tokë, do të pëshpëritë i lehtësuar: “Lindi duke qarë, si të gjithë. Kaloi dhe një pjesë të jetës, duke qarë, si të gjithë. Por, IKU DUKE VALLËZUAR, jo si të gjithë! JU FALEMINDERIT !, përfundon statusi i mrekullueshëm i Zhustit./Story.al/