Viktor Zhusti: “Kur pashë me kë duhet ta prezantoja Festivalin e Këngës, u trondita!”
Në 8 dhjetor festoi 76-vjetorin, ndërkohë ishte përfshirë në ethet e rikthimit në skenën e Festivalit të Këngës në RTSH, të cilën e preku për herë të parë 47 vite më parë. Aktori i njohur Viktor Zhusti prezanton tri netët e Festivalit ën Pallatin e Kongreseve me një partnere që duket se pati kimi në skenë, aktoren dhe këngëtaren kanadeze me origjinë shqiptare Ana Golja këndoi në nisje këngën “Mall” fituesen e festivalit të kaluar nga Eugent Bushpepa.
Më pas prezantimi vazhdoi si një lojë mes dy prezantuesve, që edhe pse me diferencë moshe u kompostuan shumë mirë me njëri-tjetrin. I mjaftuar me skenarin e Pandi Laços, Viktori Zhusti është treguar i rezervuar në media të dhënë intervista. Në konferencën e shtypit për mediat ai ka folur rreth propozimit për të prezantuar Festivalin e 57-të të Këngës, të cilit i kthehet pas 47 vitesh, që kur ka prezantuar Festivalin e 10-të, së bashku me Edi Luarasin. “Mendova që pas 47 viteve të vish sërish në skenën e festivalit, një festival që nuk ka asnjë lidhje qoftë në organizim qoftë në konceptim me atë të 47 viteve më parë m’u duk me shumë interes.
Në festivalin e 10-të kam qenë bashkë me kolegen time Edi Luarasi. Ajo ishte një yll që kaloi në skenën shqiptare, këngëtare, aktore me një bukuri dhe inteligjencë të veçantë, së cilës në këtë rast megjithëse ka problem shëndetësore i uroj të ketë sa më shumë shëndet, uroj të jetë gjithmonë mirë, sepse nga yll është shndërruar në një meteor që kaloi në qiellin shqiptar. Kur më thanë për festivalin e 57-të u emocionova! Kur pashë me kë duhet ta prezantoj u trondita!”, tha Viktori duke iu referuar 22-vjeçares, Ana Golja. I përzgjedhur si moderatori i edicionit të 57-të të Këngës Viktor Zhusti i solli mbrëmjen parë publikut disa çaste prej një nga roleve të tij më pikantë. Ai luajti rolin e Jahos, ku personazhin e Lilo Labes e luante Ana Golja, prezantuesja e re nga Kanadaja. Ajo iu përgjigj me shumë spontaitet Zhustit në momentin e improvizimit ku ai i deklaroi se e donte shumë dhe se do e marrë për nuse. “Betohu!”, i kërkoi Ana, duke shkaktuar të qeshura në publik. Viktor Zhusti shfaqet në këtë skenë pas një eksperiencë televizive në “Top Channel”, me Adi Krastën. Ai luajtur shumë role dhe përpara viteve ’90-të, kur lulëzonte veprimtaria në Kinostudio Shqipëria e Re, ishte një nga aktorët më të kërkuar. Galeria e roleve të Viktor Zhustit është e pasur. Ka luajtur partizanin e ashpër, por edhe babain e dhembshur, të riun përpara dilemave, por edhe të dashuruarin, që mundohet të tejkalojë paragjykimet. Disa prej filmave ku ai ka luajtur, mund të përmendim telekomedinë “Shi në Plazh”, ku luan rolin e Alber-it, një nga komeditë më të bukura shqiptare, që i ka rezistuar kohës. Për të vijuar me filmin “Nëntori i dytë”, ku luan rolin e Pandeli Sotirit, “Taulanti kërkon një motër”, rolin e babait, Pirros.
Një tjetër rol babai, tek “Kur xhirohej një film”, për të vazhduar me rolin e Llano Bletës tek “Dhe vjen një ditë”, “Malet me blerim mbuluar”, etj. Roli i doktorit në skenën e teatrit Kombëtar me Te gjithë kanë huqe e kthen atë pas gati 20 vjetësh sërish në vëmendjen e publikut. Dëshiron të rikthehet sërish, por këtë herë me një projekt të vetin në teatër./Panorama Plus