Vijojnë replikat te shtanga, ironia e trajnerit Kovaçi: Qerimajn duhet ta falënderojë edhe Calja për garën e Tokios!

Trajneri Zef Kovaçi, disa ditë më parë denoncoi heqjen e emrit të tij nga triumfi në Kampionatin Europian të peshëngritjes, i mbajtur disa muaj më parë në Tiranë, teksa bëri të ditur se me të padrejtë është vendosur emri i trajnerit Sokol Bishanaku.

Një çështje që ka hapur debate të forta në komunitetin e shtangës, me Kovaçin që ka akuzuar hapur Federatën Shqiptare të Peshëngritjes, por gjithashtu edhe Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, të sinjalizuar prej tij për këtë gabim, por që nuk ka reaguar për ta rregulluar. Dy ditë më parë, për gazetën ka dhënë versionin e tij edhe Erkand Qerimaj, protagonisti i medaljes.

E menjëhershme ka qenë edhe replika e trajnerit Kovaçi, i cili nuk i kursen notat e ironisë në përgjigjen ndaj peshëngritësit. Ja deklarata e plotë e trajnerit Zef Kovaçi për “Panorama Sport”:

“Pasi lexova intervistën tënde, Erkand, po ju ‘falënderoj’ publikisht që më paskeni mbajtur me bukë e për mëshirë gjatë kësaj kohe.

Gjithë ato ditë, muaj e vite stërvitje, masazhi, nga ana ime edhe dy herë në ditë nuk paskan shkuar kot. Paskan qenë për mëshirë, ‘për të më ndihmuar’.

Mbas disa muajsh pritje nga ana ime, duke shpresuar në burrërinë tënde e të Sokolit që ky ngërç të mbyllej, vendosa ta bëj publike kur çdo gjë kishte marrë fund.

Më vjen keq që edhe ti se kuptove as në bisedën e fundit në korrik të këtij viti, që kjo bëhet për dinjitetin e respektin që kam ndaj vetes dhe jo për vlera monetare siç e trumbetoni të gjithë ju.

Jam shumë i zhgënjyer dhe rri me shpresë që edhe ti vetë mos t’i besosh ato që ke shkruar.

Jam gati për një Komision Teknik të drejtuar nga pedagogë të Universitetit të Sporteve: Unë pa sy përballë të gjithë kryetrajnerëve të kombëtareve shqiptare bashkë.

Të përballemi për ngarkesat stërvitore, shtrirjen gjithëvjetore, koeficientët, etj. Mund të më mundin vetëm në fushën e dopingut. Ty duhet të të falënderojë edhe Briken Calja, pasi në Tokio nuk më lejove të shkoj në garën e Brikenit, sepse si i ‘paaftë’ që isha unë, nuk dëshiroje të dëmtoje shokun.

Por më zëvendësuan z.Fidel Ylli dhe Elez Gjoza, trajnerë me mjaft eksperiencë në garat e peshëngritjes. Por tani po kuptoj edhe humorin tuaj, kur qeshnit me mua, kur thoja se rëndësi ka fitorja. Nuk dua ta zgjas më tej që të jeni i qetë në përgatitjen për garë…”, deklaron trajneri Zef Kovaçi, i cili ka 39 vite eksperiencë në sportin e peshëngritjes.

PANORAMASPORT.AL