Vidhnin qytetarët te Liqeni i Tiranës, zbardhet dëshmia e policit bashkiak: Më duheshin lekët për të paguar kredinë

Është zbardhur dëshmia e policit bashkiak, i cili së bashku me një kolegun e tij, të arrestuar pak ditë më parë akuzohen për vjedhje të qytetarëve tek Liqeni Artificial.

Efektivë policie, Serxhio Cani dhe Sajmir Muzikanti ishin kthyer në hajdutë dhe u vidhnin celularët dhe paratë qytetarëve. Në dëshminë e tij Muzikanti ka thënë se këtë e ka bërë pasi kishte një kredi për të larë.

“Sa herë që isha turni i tretë në punë merrja në telefon Serxhion dhe i thoja hajde dalim nga Liqeni. Për shkak të kredisë që kam detyrohesha t’u merrja paratë me zor qytetarëve. Këtë gjë e kam bërë në bashkëpunim me Serxhion”, ka dëshmuar ai, raporton “Abc news”.

Ndërsa Serxhio Cani, me detyrë polic patrulle ka mohuar se është përfshirë në grabitje. Por, provat e mbledhura nga kolegët e tij dhe oficerë të Agjensisë së Mbikqyrjes Policore hedhin poshtë qëndrimet e 22 vjeçarit.

Duke shfrytëzuar detyrën, dy policët ndalonin të rinjtë pinin cigare hashashi në zonën e Liqenit Artificial, u vinin dhe prangat që të dukeshin sa më të besueshëm dhe u merrnin lekët. Më pas, i linin të lirë në këmbim që mos t’i shoqëronin në Komisariat.

Pas njoftimeve dhe denoncimeve të bëra në Komisariatin nr.1 nga qytetarët, të cilët vidheshin me dhunë në zonën e Liqenit Artifical, ose në raste të tjera dy policët ua merrnin nga xhepat pa u vënë re, shërbimet policore janë vënë menjëherë në lëvizje.

Nga hetimet dhe vëzhgimet dy javore, ka dalë se hajdutët në fakt ishin dy policët, Serxhio Cani, efektiv i Patrullës në Komisariatin nr.1, dhe shoku i tij 39 vjeçar Sajmir Muzikanti, inspektor në Policinë Bashkiake të Tiranës.