Videoja virale: A është avokatja e Amber Heard fanse e Johnny Depp?
A mendoni edhe ju se interneti është i frikshëm? E kemi fjalën, asgjë nuk humbet. Asgjë. Kurrë. Përpos kësaj, sa lehtësisht njerëzit mund lidhin detaje të viteve më parë me diçka të momentit! E fundit që nuk i shpëtoi syshqiponjave të TikTokut ishte avokatja e Amber Heard.
Nëpër rrjet qarkullon një video tashmë virale, ku shfaqet Johnny Depp në premierën e “Lone Ranger” në Londër në vitin 2013. Një grua me kamera qëndron në turmë në rresht të parë me aparatin drejtuar nga ylli që po parakalon në tapetin e kuq.
Dedektivët e TikTok janë të bindur se gruaja në rreshtin e parë – dukshëm një fanse e Johnny Depp ose më së paku kurioze për të – është as më pak dhe as më shumë se avokatja e Amber Heard, Elaine Bredehoft.
“Edhe ekipi i Amber Heard është në anën e Johnny-t,” shkruan dikush. “Po sikur ta ketë bërë qëllimisht në mënyrë që Johnny të fitojë?” aludon një tjetër. “Jam i sigurt që u bë avokatja e saj që të shohë më afër Johnny-n” mendon një i tretë. Komentet janë epike.
Dikush, pa shumë sens humori sigurisht, thotë që “nuk ka rëndësi i pëlqen apo jo Amber; ajo është e punësuar dhe po bën detyrën”. Për momentin, është e paqartë nëse bëhet fjalë për të njëjtin person. Edhe nëse po, duhet ta pranojmë që personi pa sens humori ka të drejtë.