VIDEO / Shënohen 8 gola, jepen 3 të kuq e mbyllet me sherr. Ndodh gjithçka në Lacio-Udineze

Ndeshja e sotme mes Lacios dhe Udinezes në Serinë A është mbyllur pas 111 minutash ku praktikisht ka ndodhur gjithçka, por pa ndryshuar pozitat e skuadrave në renditjen e Serisë A falë rezultatit 4-4.

Udineze e nisi ndeshjen në sulm dhe ndëshkoi dy herë bardhekaltërit vendas, falë Beto i cili e kishte të lehtë të dërgonte topin në rrjetë mes përgjumjes së prapavijës. Një gol i Imobile zgjoi Lacion, por Molina ndëshkoi përsëri kryeqytetasit në fundin e pjesës së parë.

Pjesa e dytë pa Lacion më agresive dhe Pedro me Milinkoviç-Saviç brenda pak minutash barazuan rezultatin në 3-3. Patrik la lacialët me 10 lojtarë pasi u ndëshkua me të kuq, ndërsa pak minuta më vonë të njëjtin fat kishte edhe Molina për Udinezen.

Në minutën e 79, Açerbi pa t’i anulohej goli për pozicion jashtë loje, por pas rishikimit me VAR, vendimi i asistentit ndryshoi dhe Lacio për herë të parë e pa veten në avantazh. Megjithatë, në shtesën e ndeshjes, kur regjistrohej minuta e 99, erdhi goli i barazimit 4-4 me Arslan. Festimet e tepruara të lojtarëve të Udinezes sollën një zënkë në mes të fushës mes dy skuadrave dhe Uollas u ndëshkua me të kuq para vërshëllimës përfundimtare për miqtë.

Barazimi lë Lacion në vendin e 9 në klasifikim, ndërsa Udineze është në vendin e 14, larg zonës së rrezikshme të klasifikimit.

PANORAMASPORT.AL