Video/ Pika e parë në Islandë: barazimi i vakët, kuqezinjtë Broja-dipendentë
Për herë të parë nuk dalim të mundur nga Islanda, duke shkëputur një 1-1 që për mënyrën si shkuan gjërat duhet ti rrijë më ngushtë vendasve, edhe pse favoritët ishin të besuarit e Rejas. Vendfosën golat e Seferit në minutën e 30 e gafa amatoreske e Gjimshitit 4 minuta pas rifillimit, që i dha mundësinë Thorsteinsson të mposhtte Berishën. Islandezët ruajnë kryesimin e Grupit 2 të Ligës B me dy pikë në dy ndeshje, të ndjekur nga Shqipëria e Izraeli me nga një pikë e që duhet të ndeshen në Tiranë pas tre ditësh.
Një pjesë e parë e mirë e një e dytë jo dhe aq, një skuadër që gabon në armët e saj më të shkëlqyera, ose më saktë në mbrojtje. Islandezët e Vidarsson sulmonin me zëvendësuesin e Venezias që këtë sezon kishte koleksionuar vetëm 173 minuta në 9 ndeshje në total, ndërsa mbrojtja e gjitha Serie A e kuqezinjve bën gafa skandaloze si ajo e minutës së 49 nga ai që më pak pritej, Gjimshiti. Nuk është ndeshja e parë që luhatje të tilla të prapavijës dënojnë rezultatin, por përvec tyre detaji tjetër për tu patur në vëmendje është varësia nga Broja.
Sulmuesi i Southampton, e bashkë me të edhe Uzuni, nuk isht në dipozicion për këtë ndeshje dhe ofensiva e tekniku italian dështoi me sukses, pavarësisht golit të parë me fanellën kuqezi të Seferit. Skuadra nuk krijoi, vuajti shumë aq sa Cikalleshi nuk e pa portën fare, ndërsa bashkë me golin goditjet në portë në 90 minuta ishin 2. Shumë pak për një skuadër që duhet të ishte favorite e që për ta ilustruar më mirë shërbejnë 5 goditjet në kuadrat të kundërshtarëve tanë.
Reja ndërhyri, ndoshta me vonesë, me Vrionin e Balajn. Përvec freskisë, dyshja solli edhe më tepër ritëm e cinizëm në duele, ndërsa Roshi u mbajt në pankinë, duke preferuar në fund Veselin. Tentativë për të mos rrezikuar, me një trajner që më tepër se përpiqet të fitojë, punon me laps e letër në sistem pikësh. Në fund llogaritë edhe dalin, por të mos mundësh këtë Islandë në tranzicion e sipër është një rast që nuk përsëritet.