VIDEO/ “Pasi fëmijët bënin 6 muajsh vdisnin” – “Mallkimi” në familjen e çiftit shurdh memec dhe besëtytnia e vjehrrës: Që të jetonte fëmija i katërt e lanë…

Në rubrikën “Ka një mesazh për ty” në Tv Klan Feride Tahiri ka treguar historinë e dhimbshme të familjes së saj. Babai i saj nuk mund të shikonte, kurse mamaja e saj nuk mund të dëgjonte. Dhimbje e tyre ishte e madhe sepse çdo fëmijë që vinte në jetë, vdiste pasi mbushte 6 muaj.

Kur në jetë erdhi fëmija i katërt, nga frika se mos sërish ai fëmijë nuk do jetonte, gjyshja kërkoi nga nusja që ta vendoste fëmijën në udhëkryq dhe kush do kalonte aty, do i vendoste emrin dhe fëmija do jetonte. Ferideja tregon se kështu ndodhi dhe vajza jetoi.

Feride Tahiri: Fëmijëria ime ka qenë shumë e vështirë zoti Ardit. Meqë babin e kisha të verbër dhe në pamundësi për të marrë  një grua të shëndetshme, e mori po me pak pasoja, ajo nuk dëgjonte. Mamaja ime lindte fëmijët, por ata nuk i rronin. Kur bëheshin bebet 6 muaj, i vdisnin të gjithë.

Ardit Gjebrea: Sa fëmijë humbi mamaja jote?

Feride Tahiri: Mamaja ime humbi 3 fëmijë. Pas të tretit lindi motra ime e madhe. Kur lindi ajo vendosën ta linin në udhëkryq, se ishin këto traditat tona të gjysheve, që kishte dëgjuar gjyshja ime dhe i kishte thënë mamit tim ta vendosim në udhëkryq që të jetojë. Cili do vijë i pari, me makinë ose këmbë që ta shikojë djepin aty, do i vendosi emrin e tij dhe sipas emrit të tij, pastaj fëmija do jetojë dhe kështu ndodhi. Domethënë motrën e vunë në djep aty, jetoi motra.

Ardit Gjebrea: Pra pas 3 fëmijëve të humbur e katërta ishte motra! I vunë emrin?

Feride Tahiri: Po i vunë emrin.

Ardit Gjebrea: Kush i vuri emrin?

Feride Tahiri: Ai personi që e gjeti në rrugë, në udhëkryq. Aty mbrapa ishte fshehur mamaja dhe babai, gjyshja, ku di unë njerëzit e shtëpisë. U afrua tek djepi, edhe e pa djepin dhe tha: Është vajzë apo çun? Thanë vajzë dhe meqë ai ishte burrë, nuk mund t’i vinte emrin e vetë, i vuri emrin Zymryte. Nëna nuk e donte atë emrin dhe ja ndërroi më vonë. Mbas 3 viteve të motrës sime, linda unë.