VIDEO/ “Moj sharabajkë…”; pamjet tronditëse kur edukatorja i thyen këmbën 3-vjeçares në kopsht

Një vajzë 3-vjeçare disa ditë më parë u dhunua në kopshtin privat “Stinët” në kryeqytet. Pas denoncimit të rastit, “Stop” këtë të mërkurë ka publikuar pamjet e plota që tregojnë që thyerja e këmbës së vajzës 3-vjeçare është shkaktuar nga edukatorja, si dhe një përmbledhje kronologjike të ngjarjes së rëndë që u tentua të mbulohej e të manipulohej nga drejtuesit e kopshtit privat që për më tepër rezultoi i palicensuar.

OPGJ nuk mori denoncimin në spital, mjekët nuk bënë gjithashtu denoncim, mjeku ligjor nuk shkoi të bënte ekspertizën e gjendjes së vajzës. Pas publikimit nga “Stop”, Ministria e Arsimit ka kërkuar mbylljen e menjëhershme të kopshtit të palicencuar. Po ashtu tre efektivë policie u pezulluan nga detyra.

Edukatorja dhunuese, Majlinda Dehima, u la në hetim të lirë nga policia, pas transmetimit të pamjeve filmike në “Stop”. I ati i vajzës 3-vjeçare ka treguar në mënyrë kronologjike edhe njëherë për emisionin “Stop” si u trajtua rasti i thyerjes së këmbës të së bijës nga instancat përkatëse.

Gazetari: Në çfarë ore ju shkuat në datën 1 nëntor te spitali i Traumës?

Babai i vajzës: Shkuam rreth orës 4 e gjysmë. Mjeku që e trajtoi, di vetëm emrin, quhej Juli. Pasi bëmë grafinë, na mori të 2 si prindër me gjithë vajzën na çoi në një dhomë tjetër, që ishte konsultë dhe na tha që vajza ka thyer në gjendje të rëndë këmbën.

Gazetari: Ky doktor, ai thërriti oficerët e Policisë Gjyqësore?

Babai i vajzës: Doktori nuk ka shprehu një interes të tillë për të kërkuar një shpjegim apo investigim që meqenëse, prindërit nuk dinë gjë nga ky kopsht, atëherë do të merret oficeri përkatës që të zbardhte çështjen ose të bënte pyetjet që ai di. Ne, pasi hymë brenda që pamë grafinë, nuk erdhi njeri afër që të na pyeste pasi ishte një emergjencë që duhej të shihnim se çfarë kishte ndodhur. Pasi ikëm te salla tjetër që zbardhnim grafinë në ekran, sa morëm vesh nga mbrapa, një oficer kishte ndaluar zonjën drejtoreshë me gjithë të shoqin e saj duke e pyetur se çfarë ka ndodhur. Zonja, mesa morëm vesh ne, kishte thënë që “jemi të afërmit, nuk ka ndodhur gjë, një aksident i vogël”.

Gazetari: Dhe ai nuk i kishte shkuar më tej zbulimit të ngjarjes? Ishte mjaftuar me pohimet e drejtoreshës?

Babai i vajzës: Po. Ai kishte marrë dëshminë që ishte një rast familjar që ka ndodhur. Nuk erdhi të pyeste njeri. Ngeli tamam një enigmë.

Edukatorja dhunuese, Majlinda Dehima, tha para uniformave blu se mendon që vajza e ka lënduar vajzën te hapësirat e krevatit, por në fakt e vërteta është krejtësisht ndryshe dhe këtë e vërtetojnë pamjet e fundit të siguruara nga emisioni investigativ “Stop”.

DËSHMIA E EDUKATORES MAJLINDA DEHIMA:

“Kam goditur me vizore vetëm te karrigia për t’i tërhequr vëmendjen vajzës për në mësim. Rreth orës 15 e 3 minuta, vajza ka nisur të qajë dhe pas kontrollit që i kam bërë, kam parë që këmba ka qenë e enjtur. Më pas, njoftova menjëherë drejtoreshën e kopshtit. Mendoj që vajza e ka lënduar këmbën të hapësirat e krevatit”.

“Stop” siguroi pamjet e plota filmike ku tregohet qartë sesi vajza dhunohet nga edukatorja, Majlinda Dehima deri në thyerjen e këmbës. Në materialin filmik dëgjohet zhurma e thyerjes, qarja e vajzës dhe të sharat e edukatores nga të miturës.

ORA 13:46 – Vajza qan

Edukatorja 1: Pusho moj… Ua… Ku je ktu mi?!

ORA 13:47 – Futet edukatorja Majlinda Dehima – Dëgjohen goditje

Edukatorja 2, Majlinda Dehima: Çfarë bën ti mi?! Çfarë bën ti mi?! Hë çfarë bën? Çfarë bën mi?! Pse ta kemi ty qefin ne mëngjes, drekë e darkë? Sharabajkë Hiqe moj këmbën këtu, hiqe këmbën, hiqe këmbën.

ORA 13:47 – Dëgjohet kërcitje, vajza fillon të qajë pa pushim

Edukatorja 2, Majlinda Dehima: Jo, jo… Pa dashje…

Të qarat vazhdojnë deri në orën 15:12 kur vajza bëhet gati për të dalë nga kopshti.

Bordo