Video/ Mision i përmbushur, vendi i dytë në grup: Shqipëria shënon fitoren spektakolare me San Marinon

Pesë gola diferencë, ashtu si Shqipëria kishte mundur të bënte vetëm dy herë në historinë e saj: kundër Vietnamit 5-0 në 12 shkurt 2003 dhe kundër Qipros 6-1 në 12 gusht 2009. San Marino dërrmohet 5-0 në Elbasan Arena ku kuqezinjtë marrin fitoren e dytë radhazi brenda tre ditëve, duke rrëmbyer vendin e dytë në Grupin I, falë barazimit në Varshavë, me të cilin Anglia ndaloi Poloninë.

Në ndeshjen e fundit të shtatorit, skuadra e Rejas nuk zhgënjen. Mihaj në mbrojtje, Bajrami e Laci në mesfushë e Uzuni në krah të Manajt në sulm ishin ndryshimet që italiani i kishte bërë skuadrës pa humbur boshtin dhe soliditetin, që shpërtheu pas minutës së 32, kur Rei Manaj shënoi golin e avantazhit për të besuarit e Rejës, duke shfrytëzuar një top të ulur nga Bare: nën presionin e mbrojtësit sulmuesi i Spezias e dërgoi topin në këndin e portës, duke shtangur edhe portierin. VAR konfirmoi kontrollin me gjoks të topit nga Manaj, duke legjitimuar avantazhin kuqezi.

Praktikisht, një ndeshje me sens unik, por që kishte nevojë për siguri. E ndoshta për këtë motiv, Reja hodhi në fushë dy sulmues menjëherë me rifillimin e lojës: Roshi e Broja, për Bajramin e Trashin. Shqipëria mbajti inisiativën, duke rritur rrezikshmërinë e në minutën e 58 Laci siguroi rezultatin me golin e dytë. Një goditje perfekte me harkim, në këndin e pambuluar të portës të San Marinos, për mesfushorin që vazhdon të bëjë përfaqësime të rëndësishme.

Tre minuta më pas Shqipëria bëri tris me lojtarin që kishte vetëm 16 minuta në fushë. Goli i dytë radhazi për Armando Brojën dhe i dyti me fanellën kuqezi. Shkodrani mori një pasim nga Roshi në qendër të zonës në minutën e 61 dhe shkarkoi të djathtën në rrjetë, për trisin kuqezi. Më pas nuk kishte histori: përvec dy golave të anulluar për Manaj edhe një traversë e Brojas, përpara emrin në listën e shënuesve ta shtonte edhe kapiteni Hysaj.

Goli i dytë me fanellën kuqezi për mbrojtësin e Lazios, që shënoi me kokë, duke ndëshkuar portierin kundërshtar në minutën e 68. Shqipëria kompleton goleadën me golin e pestë në minutën e 81 me golin e Myrto Uzunit. Beratasi ishte i vetmi ndër sulmuesit që nuk kishte shënuar, por Broja i bën dhuratën e parefuzueshme me portën bosh. Shkodrani sulmoi kundërshtarin duke ia marrë topin në zonë e vendosi pastaj ti pasojë Uzunit për golin më të thjeshtë.

5-0 për Shqipërinë që barazon rekordin e fitores më të thellë në ndeshjet ndërkombëtare në shtëpi, duke përmirësuan kështu edhe golavarazhin, që nga -1 kalon tani në +4. Kuqezinjtë marrin fitoren e 4 në 6 ndeshje, duke u ngjitur në kuotën e 12 pikëve, e duke lënë pas Poloninë në vendin e tretë me 11 pikë e Hungarinë me 10.

WORLD CUP – UEFA QUALIFICATION: 1ST ROUND: GROUP B
Greece 2 – 1 Sweden
Kosovo 0 – 2 Spain
WORLD CUP – UEFA QUALIFICATION: 1ST ROUND: GROUP C
Italy 5 – 0 Lithuania
Northern Ireland 0 – 0 Switzerland
WORLD CUP – UEFA QUALIFICATION: 1ST ROUND: GROUP E
Belarus 0 – 1 Belgium
Wales 0 – 0 Estonia
WORLD CUP – UEFA QUALIFICATION: 1ST ROUND: GROUP I
Albania 5 – 0 San Marino
Hungary 2 – 1 Andorra
Poland 1 – 1 England
WORLD CUP – UEFA QUALIFICATION: 1ST ROUND: GROUP J
Armenia 1 – 1 Liechtenstein
Iceland 0 – 4 Germany
North Macedonia 0 – 0 Romania