Video/ Me depresion e në varësi nga droga e alkooli, drama e Daniel Osvaldo: “Jeta po më ikën nga duart”

Ajo që po përjeton Pablo Daniel Osvaldo është një situatë dramatike. Ish-sulmuesi i kombëtares së Italisë, i cili bëri 14 paraqitje dhe shënoi 4 gola për të kaltrit mes viteve 2011 dhe 2014, së fundmi ishte në qendër të lajmeve në Argjentinë për shkak të ndarjes nga partnerja e tij, prezantuesja televizive Daniela Ballester. Në bazë të kësaj ndarje është një vuajtje shumë e thellë, që Osvaldo ka dashur ta tregonte me një shpërthim shumë të gjatë në Instagram: “Nuk e di nëse është një kërkesë për ndihmë, apo thjesht duhet të flas për të – ishin fjalët e Osvaldo. Prej disa kohësh vuaj nga një depresion shumë i rëndë, që më ka bërë të bie në disa varësi ndaj alkoolit dhe drogës. Jam në një kohë ku jeta ime po del jashtë kontrollit dhe doja ta ndaja këtë me ju”.

IZOLIMI
Ish-futbollisti, ndër të tjera, i Fiorentinës, Romës, Inter dhe Juventus ka shpjeguar se ka rënë në vetëshkatërrim dhe se kjo ka dëmtuar edhe njerëzit që do: “Jetoj vetëm, mbyllur në shtëpi, nuk bëj asgjë produktive në jetën time, nuk më pëlqen të bëj banjë apo të ngrihem nga shtrati. I jam nënshtruar një trajtimi psikiatrik”.

Historia vazhdon mes lotësh: “Po flas sepse është e vetmja mënyrë për të dalë prej saj, dua që njerëzit të mësojnë se çfarë po më ndodh. Jam distancuar nga njerëzit që më kanë dashur dhe që më duan ende shumë. Varësitë nuk më bëjnë të dëshiroj të shoh familjen time, apo të ndaj gjëra me fëmijët e mi. Isha një futbollist elitar, një person ndryshe plot besim. Sot jam një person që nuk e njoh, e kam të vështirë të dal nga kjo situatë”.

NDJESA PËR ISH-GRUAN
Osvaldo, në fund, i kërkoi falje Daniela Ballester: “Ajo po paguan për shkakun tim, po përjeton gjëra që nuk duhet t’i përjetojë. Unë nuk dua të bëj viktimën, thjesht dua që ju të kuptoni. Gjërat që bëj dhe vendimet që marr nuk janë të drejtë, i gjithë zemërimi që ndjej ndaj botës dhe njerëzve ka të bëjë me varësitë dhe depresionin tim. Është e vështirë të dal prej tij”.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Dani Stone (@daniosvaldobv)

Lapsi.al