
VIDEO/ Jenny e grupit “Ace of Base”, koncert në 17 qershor në Tiranë
Më 17 qershor, Sheshi Skënderbej do të shndërrohet në një festë të madhe me hitet që kanë bërë historinë, të kënduara nga Jenny e grupit suedez Ace of Base.
Këngët “The Sign”, “All That She Wants”, “Beautiful Life” dhe shumë të tjera do të rikthehen në skenë, këtë herë live në Tiranë.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ndau në rrjete sociale një videomesazh të ikonës së pop-it Jenny nga Ace of Base, teksa ftoi qytetarët të bëhen gati për një supermbrëmje nën ritmet e viteve ‘90.
“Ejani të këndojmë së bashku nën yjet e verës! Ikona e pop-it Jenny nga Ace of Base ka një mesazh special për ju… dhe një ftesë që nuk refuzohet”, shkroi Gonxhja.
“Dua t’ju ftoj ju më 17 qershor në sheshin Skënderbej në Tiranë ku do të performoj këngët hit të Ace of Base të viteve ’90 dhe do të këndoj të gjitha këngët. Jeni të ftuar në këtë mbrëmje dhe le të kërcejmë”, u shpreh Jenny në videomesazhin e saj.
Koncerti i këngëtares Jenny nga grupi legjendar “Ace of Base” është pjesë Javës Kulturore Suedeze në vendin tonë që vjen me aktivitete të ndryshme. Java Kulturore Suedeze ka pjesë të saj muzikën, ekspozitat dhe aktivitete e tjera, ndërsa nis më 13 qershor. Prej datës 13 qershor e deri më 19 qershor, Shqipëria do të mikpresë kulturën e artin suedez.
Ora News