Video/ Ekzekutimi i Hekuran Billës, arrestohet një nga bashkëpunëtorët
Policia e Tiranës ka arrestuar një nga bashkëpunëtorët në vrasjen e 40-vjeçarit Hekuran Billa. Bëhet fjalë për nipin e Prel Markut, i cili u vra në Angli në vitin 2006, në moshën 22-vjeçare nga Billa. Më parë është shpallur në kërkim dhe një nga autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje.
Zyrtarisht deklarohet se nga Sektori i Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës dhe Sektori i Forcës Operacionale dhe Kërkimit në DVP Tiranë, pas një pune të mirorganizuar dhe të pandërprerë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, u bë i mundur ndalimi i shtetasit S. M., 22 vjeç, banues në Tiranë.
Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi, në datën 11.06.2020, rreth orës 21:50, në rrugën “Prokop Mima” Tiranë, ka bashkëpunuar në vrasjen me armë zjarri të shtetasit H. B. Shtetasi S. M. është nipi i shtetasit Prel Marku, i cili është vrarë në vitin 2006, në Angli, nga 40-vjeçari Billa.
Menjëherë, pasi ndodhi kjo ngjarje është bërë edhe shpallja në kërkim e shtetasit V. M., si një nga autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje.
Në cilësinë e provës materiale janë sekustruar 3 automjete dhe një sërë provash të tjera materiale, me të cilat dokumentohet implikimi i këtij shtetasi në këtë ngjarje.
Ndërkohë, vazhdon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë ngjarje.
Materialet për ndalimin e shtetasit S. M. i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Vrasja për gjakmarrje”, e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.