VIDEO/ “Do jap paratë dhe i zgjidhim problemet”, del mesazhi zanor që Ilaria Sula u dërgoi prindërve para se të vritej

Për Flamur dhe Gëzime Sulën dhimbja nuk do të shuhet kurrë. Vajza e tyre, vetëm 22 vjeçe, u shua padrejtësisht.

Ilaria Sula kishte shkuar për të studiuar në Romë për statistikë, një degë që e donte shumë, por jeta iu ndërpre në mes nga ish i dashuri i saj, një 23-vjeçar me origjinë filipinase, Mark Antony Samson, i cili e vrau me thikë.

Prindërit e saj kanë folur për televizionin italian RAI. “Nuk e di si do ia bëj pa Ilarian. Ishte gjithçka Ilaria për mua, ishte gjithçka. Ma shkulën nga zemra”, shprehet mamaja e saj.

Flamuri kërkon drejtësi për vajzën e tij. Ai thotë se Ilaria nuk ishte një objekt që e trajtuan në atë mënyrë çnjerëzore.

“E vranë dhe e hodhën brenda një valixheje. Çfarë ishte ajo, një objekt? Vajza ime nuk ishte një objekt, nuk ishte një triko, as një palë këpucë, por njeri”, thotë mes dhimbjes që i dallohet në sy i ati.

Pavarësisht qindra telefonatave, asnjë mesazh nuk vinte nga Ilaria. Gëzime Sula thotë se menjëherë ka menduar më të keqen. Por ajo që ia shton dozën kësaj tragjedie është mamaja e autorit.

“Mamaja duhet të telefononte menjëherë ambulancën e urgjencën dhe jo ta ndihmonte që ta hidhnin”, tha Flamur Sula.

Së shpejti, Ilaria do të diplomohej, një ditë që mezi e priste. “Fliste edhe për fustanin që donte të vishte për diplomimin”, tha mamaja.

Tashmë familjes Sula i kanë mbetur vetëm kujtimet dhe një audiomesazh. “Shikoni pak nëse jeni dakord! Pastaj unë do jap paratë dhe i zgjidhim problemet. Ok, me thuaj sërish”, dëgjohet të thotë Ilaria në audiomesazhin dërguar prindërve.

Në lidhje me vrasjen e Ilaria Sulës janë arrestuar Mark Antony Samson dhe mamaja e tij. Kjo e fundit e ndihmoi që të fshihte trupin e pajetë.

Sipas hetimeve, pas vrasjes Samson ka shkuar për të ngrënë me një shoqen e Ilarias. Madje ai ka përdorur telefonin e saj për të devijuar hetimet duke dërguar mesazhe sikur ishte ajo dhe se do të kthehej.

gazetatema.net