Video/ 20 penallti vendosin një derbi fantastik: Tirana super, rikuperon humbjen e parë, por Bakaj bën heroin
Dinamo shkon në cerekfinale, pasi u frikësua keq në ndeshjen e kthimit të raundit të dytë të Kupës së Shqipërisë kundër Tiranës. Skuadra e Shehit meriton komplimente për gjithcka bëri në këtë ndeshje, duke rikuperuar humbjen e parë me dy gola të shënuar nga Gjumsi e Limaj, por nuk mundi të mbyllë kualifikimin, duke ulur ritmin në kohët shtesë, për tu dorëzuar në goditjet e penalltive nga një Bakaj që priti tre nga 10 ekzekutimet e bardhebluve.
Tirana me mungesat e Ismajlgecit e Hoxhallarit e me Xhixhën në pankinë e nisi gjithcka nga 4-0 e kampionatit, ndërsa Dinamo mendoi të mbronte fitoren 2-0 të ndeshjes së parë, duke u bërë në këtë mënyrë shënjestër e sulmeve bardheblu. Pas 30 minutash pa shumë raste e me Dinamon të rrezikshme vetëm në goditje standarde, Tirana zhbllokoi ndeshjen me Gjumsin në minutën e 35. Një gol që ndryshoi rrjedhën e ndeshjes, me të besuarit e Shehit që besuan se edhe mund tia dilnin, duke ushtruar presion në cdo sektor të fushës.
Bardheblutë rrisin ritmin e me Xhixhën në fushë gjërat për Dinamon u komplikuan e vetëm fati e mbajti në lojë. Traversa e Limajt në minutën e 62 ishte paralajmërimi për Shkëmbin, që nuk arriti të ndryshojë dot gjë, sepse në të 76 Hoti fitoi një penallti, që Limaj e shndërroi në gol, duke barazuar rezultatin e ndeshjes së parë. Tirana mund ta merrte kualifikimin në fund të takimit, por edhe njëherë shtylla i erdhi në ndihmë Dinamos, në konkluzionin e Xhixhës.
Shtesat nuk kishin kthjelltësinë e duhur në manovër, sidomos për Tiranën që vazhdonte të sulmonte dhe vajtja te penalltitë u duk zgjidhja më legjitime. Nga pika e bardhë heroi u bë Bakaj që priti tre penallti në 10, ndaj Limajt, Xhixhës e 11 metërshin vendimtar të Tosevskit. Bekaj në anën tjetër priti vetëm dy në 10, atë të Gavazajt e Demirit. Në cerekfinale shkon Dinamo, që do të gjejë një tjetër derbi atë me Partizanin.