Vendet më të mira të Europës për të blerë një shtëpi të dytë
Nëse jeni në kërkim të një shtëpie për pushime, ose nëse dëshironi të përdorni paratë tuaja për një investim që mund ta përdorni për pushime, Europa ofron një sërë vendesh të bukura.
Nga ushqimet e shijshme dhe kultura e pasur e deri te peizazhet e mrekullueshme, kontinenti ka diçka për të ofruar për të gjithë dhe, për këtë arsye, blerjet e shtëpive të dyta për pushime janë shtuar.
Sipas një studimi të ri nga agjencia ndërkombëtare e pasurive të paluajtshme Knight Frank, gjatë vitit të kaluar, tregu i pasurive të paluajtshme në Europë është rritur me 5.6% për shkak të kërkesës së vazhdueshme. Ndërkohë, të ardhurat nga qiratë në destinacionet më të kërkuara për pushime të rajonit vazhdojnë të rriten.
“Për pronarët e shtëpive të dyta, qytetet e Europës ofrojnë kulturë dhe një cilësi të mirë të jetës, ndërsa për investitorët, ato ofrojnë qira të përmuajshme dhe kosto relativisht të ulëta blerjeje,” tha për CNBC Kate Everett-Allen, përgjegjëse për studimet ndërkombëtare për pasuritë e paluajtshme në Knight Frank.
Kjo rritje vjen në një kohë kur investitorët janë në kërkim të aseteve të sigurta dhe të investimeve që sjellin të ardhura, teksa inflacioni vazhdon të rritet. Pasuritë e paluajtshme që ndodhen në këtë anë të Atlantikut po shihen gjithnjë e me më shumë interes.
Megjithatë, si me çdo investim tjetër, blerja e një shtëpie është një vendim i rëndësishëm financiar dhe të dish se si të nisësh një investim të tillë mund të jetë paksa e ndërlikuar. Duke përdorur të dhënat nga Knight Frank, më poshtë do të gjeni një përmbledhje nga CNBC të vendeve më të mira për të filluar kërkimin për një shtëpi të dytë në Europë.
Qytetet kryesore ku çmimet e pasurive të paluajtshme rriten vazhdimisht
Nëse synoni të rrisni kapitalin tuaj, duhet të konsideroni qytetet gjithnjë e më tërheqëse të Europës Perëndimore.
Rritja e çmimeve në tregjet kryesore të pasurive të paluajtshme të Europës, ku përfshihet 5% e pjesës së tregut me vlerën më të lartë, ka qenë ndër më të lartat në botë përgjatë vitit të kaluar, sipas Knight Frank.
Berlini, në Gjermani, ka shënuar rritjen më të madhe vjetore të çmimeve deri në qershor të vitit 2022, pasi pasuritë e paluajtshme kanë pasur një rritje vlere prej mesatarisht 12.6%.
Kjo shifër e vendos normën e rritjes së kryeqytetit gjerman shumë përpara shifrave të qyteteve të tjera si Nju Jorku (7.3%), Hong Kongu (3.1%) dhe Londra (2.5%).
Në qytetet e tjera, rritja e vlerës së pasurive të paluajtshme ka pasur ritme të larta këtë vit në tregjet e Edinburgut (11.2%), Dublinit (10.2%), Cyrihut (10.2%) dhe Parisit (8.9%).
Rritja e vazhdueshme në qytetet kryesore të rajonit vjen në një kohë kur ritmet e rritjes ekonomike po ngadalësohen në tregun global të pasurive të paluajtshme, për shkak të shtimit të normave të interesit dhe perspektivës së errët ekonomike. Megjithatë, Knight Frank tha se ngadalësimi ekonomik nuk është reflektuar ende te çmimet e pasurive të paluajtshme, ku sektori i luksit dallohet për shifrat e mira.
“Rritja e normave të kredive hipotekore dhe perspektiva e errët ekonomike globale po përkeqësojnë ecurinë e dy viteve të fundit, por ngadalësimi ekonomik do të ndihet më së shumti në shportën e produkteve me çmime më të ulëta dhe në tregjet lokale,” vuri në dukje raporti.
Zonat më të mira për dhënien e shtëpive me qira
Nëse doni të blini një shtëpi për ta dhënë me qira, bregdeti i Mesdheut, një nga zonat më të preferuara të pushuesve, është destinacioni kryesor për pushime në Europë, me çmime tepër të favorshme.
Përveç taksave dhe kostove të blerjes e të shitjes, ka edhe disa faktorë të tjerë që duhen marrë parasysh kur blini një shtëpi pushimesh për ta dhënë me qira. Këtu përfshihet vendndodhja, si në aspektin e afërsisë me atraksionet lokale, ashtu edhe aksesi në aeroportet ndërkombëtare.
Rajonet e Toskanës dhe të Ligurisë në Itali, bregdeti jugor i Francës dhe Alpet franceze, Barcelona, Marbella dhe Ishujt Balearik të Spanjës janë disa nga vendet më të mira në Europë për të investuar në një shtëpi të dytë pushimesh, bazuar te këto kritere, sipas Knight Frank.
Vetëm Toskana pati një rritje vjetore të interesit të investitorëve prej 30%, sipas të dhënave për vitin 2021. Ky rajon përbën dy të tretat e të gjitha kërkimeve për pasuritë e paluajtshme brenda Italisë.
Qyteti toskan i Lucca në lumin Serchio është një destinacion tepër i famshëm, i cili përbënte një të katërtën e kërkesave të blerësve për vitin 2021 së bashku me Pizën dhe Bolgheri. Qyteti ka regjistruar një rritje vjetore të çmimeve prej 6%, sipas Knight Frank.
Çmimi mesatar i pasurive të paluajtshme që kërkohet nga blerësit e Knight Frank në Lucca dhe në Piza tani është rreth 1.7 milionë euro (1.8 milionë dollarë), shumë më poshtë mesatares prej 3.7 milionë euro të rajonit të Toskanës. Nga ana tjetër, tarifat mesatare ditore të qirasë janë 471 euro. /CNBC