Velina bionde e “Fiks Fare”, Artea Bebri, i rikthehet modës: “Gabimet që bëjmë gjatë punës dhe si sillen Doriani me Devisin”
Emisioni investigativ “Fiks Fare” e nisi sezonin e vitit 2018 me dy velinat e reja të emisionit, të cilat shfaqen çdo natë krah dy prezantuesve, Dorian Ramaliu dhe Devis Muka.
Artea Bebri është velina bionde që kërcen çdo natë me brunen, Marjana Shkreta, të cilat hyjnë në televizion nga një e shkuar si modele. Kujtojmë që Marjana Shkreta është balerinë dhe prej dy vitesh ka qenë pjesë e trupës së baletit të “Top Channel”, ndërsa biondja Artea Bebri, pa lënë pas pasionin e saj për kërcimin, më shumë i është përkushtuar modelingut.
E duket se kësaj dashurie të parë të saj ajo i është kthyer sërish, duke realizuar një set pozash artistike, të realizuara nga fotografi i njohur, Sonny K. Elson. Në këtë set, ajo shfaqet sensuale, engjëllore, në sajë edhe të gurëve swarovski.
Thonë që meshkujt çmenden për biondet dhe pas këtyre fotove, sigurisht që do e vlerësojnë akoma më shumë. Balerinë profesioniste e modele duket sikur çdo gjë që bën i shkon, ndërsa ndjekësit në rrjetet sociale, duke parë emisionin “Fiks Fare” kanë vënë re detajin ku duket sikur edhe kamerat janë të fokusuara te lëvizjet e saj.
E pyetur nga “Panorama Plus” për punën si velinë e një programi investigativ, ajo shprehet: “Jam shumë e kënaqur, sepse në fund të fundit po bëj diçka për të cilën kam studiuar. Kënaqësia shtohet sidomos kur stafi të mbështet e të përkrah qoftë për cilësitë, por edhe për gabimet që ndodhin ndonjëherë, duke filluar nga koreografja deri te djemtë moderatorë, Dorian Ramaliu e Devis Muka, me të cilët kemi më shumë kontakt e duke vazhduar me pjesën tjetër të stafit”.
Po përse këto foto të reja ku fokusonin më shumë portretin? “Mendoj që secili nga ne ka nevojë të ndjehet mirë qoftë me dhurata, me udhëtime, por edhe me foto sepse këto janë gjërat që do na mbeten në ato “libraritë tona” të kujtimeve, ku do i shohim dhe do kujtojmë në vitet në vazhdim, pikërisht, momentet që kemi kaluar bukur ose jemi ndjerë mirë. Pastaj, përveç faktit që ne vajzat në njëfarë mënyre “vdesim” për foto, por edhe duke qenë personazhe televizivë, shpesh na duhen edhe për punën tonë. Në fakt, kisha qejf të bëja një foto me krahët e engjëllit, s’e di pse, por, ja, këtë herë ia dola ta bëja foton ashtu siç doja”, përfundon rrëfimin e saj velina për “Panorama Plus”.