Vdes themeluesi i Red Bull, miliarderi austriak Dietrich Mateschitz
Dietrich Mateschitz, miliarderi themelues dhe pronar i kompanisë “Red Bull” është ndarë nga jeta në moshën 78-vjeçare, pas një beteje me kancerin.
I konsideruar si njeriu më i pasur në Austri, Mateschitz themeloi perandorinë e tij globale tepër të njohur të pijes energjike. Pasuria e tij llogaritet rreth 25 miliard dollarë, duke e vendosur në vendin e 51-të të njerëzve më të pasur në botë sipas Forbes.
Formula 1 e vlerësoi “kontributin e tij të paharrueshëm” në sport dhe tha se ai la pas një “trashëgimi të qëndrueshme”.
Për jetën private të Mateschitz dihet shumë pak – ai nuk e pëlqente publicitetin dhe rrallë jepte intervista.
Ai jetonte në Salzburg me të dashurën e tij prej kohësh dhe vite më parë kishte deklaruar se pinte 10 deri në 12 kanaçe Red Bull në ditë.
Pas diplomimit në Universitetin e Tregtisë Botërore në Vjenë, ai punoi si specialist marketingu për kompani të ndryshme në vitet 1970.
Në udhëtimet e tij të biznesit në Azi, ai u njoh me tregun e pijeve energjike dhe stimuluese, të cilat në atë kohë ishin ende krejtësisht të panjohura në Evropë dhe SHBA.
Në vitin 1984, së bashku me sipërmarrësit tajlandez, ai themeloi Red Bull GmbH, në të cilën ai mbante 49% të aksioneve.
Pas modifikimit të recetës së një pije energjike tajlandeze dhe zhvillimit të një koncepti marketingu, Red Bull u prezantua në treg në 1987, për t’u bërë më pas një prej pijeve energjike më të famshme në botë.