Vdes në burgun amerikan “koka” e kartelit Cali, armiku i betuar i Pablo Escobar
Gilberto Rodríguez Orejuela, një prej liderëve të kartelit kolumbian të drogës, Cali dhe një prej rivalëve më të egër të Pablo Escobar ndërroi jetë në një burg në SHBA,. Lajmi u dha nga avokati i tij këtë të mërkurë.
I njohur me pseudonimin e tij “Shahisti”, 83 vjeçari akuzohet se ndihmoi në ngritjen e kartelit Cali, i cili dikur kontrollonte 80% të tregut global të kokainës, sipas një raporti nga Administrata Amerikane e Zbatimit të Drogës. Familja planifikon t’a riatdhesojë në Kolumbi.
Arrestimi i Rodriguez Orejuela nga autoritetet kolumbiane në 1995 shënoi fillimin e shpërbërjes së kartelit Cali, i cili kishte kontrabanduar sasi të mëdha kokaine nga Kolumbia në Shtetet e Bashkuara në vitet 80 – 90.
Ai u ekstradua në Shtetet e Bashkuara në vitin 2004 dhe po vuante dënimin e tij në një burg federal në Butner në Karolinën e Veriut. Në vitin 2020, një gjykatës e mohoi lirimin e parakohshëm. Avokati i tij tha në atë kohë se ish-mbreti i drogës po vuante nga një sërë problemesh shëndetësore.
Rodríguez Orejuela dhe vëllai i tij, Miguel, ndërtuan një sipërmarrje të madhe kriminale që luftoi me Pablo Escobar dhe aleatët e tij të kartelit Medellín për kontrollin e trafikut të drogës. Ndryshe nga Escobar, i cili nisi një luftë të hapur ndaj autoriteteve kolumbiane dhe forcave të sigurisë, karteli Cali e përqendroi shumicën e aktivitetit në operacionet kriminale.
Ata pranuan gjithashtu financimin e fushatave politike, duke përfshirë kandidimin e vitit 1994 të presidentit të Partisë Liberale, Ernesto Samper, i cili mohoi të kishte dijeni për donacionet në atë kohë.
Vëllezërit Rodríguez Orejuela u kapën në 1995 dhe u dënuan me 15 vjet burg. Në atë moment, ligji kolumbian ndalonte ekstradimin e shtetasve të saj, por nën presionin e SHBA-së, Kolumbia e hoqi atë ndalim në 1997.
Megjithatë, në vitin 2002, Rodríguez Orejuela u lirua papritur nga burgu pas një vendimi kontrovers të gjykatës, por ai u arrestua sërish në vitin 2003.
Më pas u zbulua se vëllezërit kishin vazhduar trafikun nga burgu ndaj për ta u ngritën kallëzime penale në Miami dhe Nju Jork. Në vitin 2004 Gilberto u ekstradua ndërsa Miguel u ekstradua një vit më pas.
©LAPSI.al