Valer Kolnikaj aventurë të re në metropol: Sa keq që s’është Robert Aliaj se do t’i kisha bërë…

Vjen nga Malësia e Madhe për të sfiduar VIP-at e metropolit, të cilët për Valer Kolnikajn janë ata që dorëzohen më shpejt para vështirësive që u sjell jeta. Ish-lojtari i “Big Brother”, mes mjekësisë dhe televizionit, profesione të jetës së tij, duket ia ka dalë t’i bëjë të dyja paralelisht. Për “Panorama Plus”, ai rrëfen aventurën e re si kërcimtar i “Dance with me”, që nis transmetimin të hënën dhe si ia bën për të jetuar brenda një martese prej 1 dekade, të pacenuar nga realiteti me tradhti e ndarje.

Sërish në një spektakël kërcimi, kësaj here në “Dance with me” të regjisores Vera Grabocka. Mendon se je gati për të fituar kësaj here?
Të gjithë e dinë që kërcimi është një nga pikat e mia të forta dhe unë do punoj fort e me disiplinë ta meritoj çdo fitore, por në përgjithësi fitoret janë muhabet më vete. (qesh) E sidomos unë jam regjur me këto, prandaj këtë nuk do e mendoj fare. Jam i lumtur që jam pjesë e “Dance with me” nga dyshja e suksesshme Vera Grabocka e Alketa Vejsiu dhe e sigurt që do të jem duke shkëmbyer pozitivitet e energji me këtë produksion, kjo është fitore.

Valeri-63

Kush ta bëri ofertën dhe a ishte një show që e dëshiroje?
Nëse për të gjithë karma është b×tch, me mua është e kundërta. Ftesën e kisha dhe në edicionin e parë të këtij spektakli, por në atë kohë m’u desh ta refuzoja, pasi brenda shtëpisë së “Big Brother” isha premtuar për spektaklin tjetër të kërcimit “Dancing With The Stars”. E kam pasur peng këtë gjë dhe jam i lumtur që sot jam në “Dance With Me”. Dhe duke qenë njohës i mirë i produksioneve televizive, e çmoj pafund faktin që nuk u “persekutova”, siç ndodh rëndom me ata që refuzojnë, por u mirëprita nga të gjithë në produksionin e DWM. Popi Kola që më bëri ftesën e gjithë produksioni, faleminderit e bravo.

Valeri-2

Tani që je pjesë e tij, si e sheh veten me sfidantët e tjerë VIP, pra, cilët prej tyre të duken më të fortët dhe ata që i sfidon pa problem?
Në lidhje me konkurrentët tjerë, u them që janë shumë të këndshëm dhe interesantë, kanë shumë vite që punojnë për një boom vëmendjeje dhe “Dance with me” do t’ua dhurojë secilit. Në raport me veten, për kërcim nuk i llogaris aspak si konkurrentë, prandaj do të argëtohemi. Nga ata kam dy të preferuar, por nuk janë çift.

Me partneret duket se nuk të eci që në fillim, pasi dy partnere u tërhoqën nga gara ende pa filluar. Kush është partnerja përfundimtare dhe a keni kimi?
Me të dyja partneret që u dorëzuan për arsyet e tyre, Marsela Çibukajn dhe Çiljeta Xhilagën, do kisha qenë OK. Unë i besoj shumë fatit tim dhe e mirëpres me pozitivitet gjithçka siç më vjen dhe duket që më ecën mirë pasi partnerja ime në kërcim është Stela Kotrri. Është shumë më shumë se një femër e bukur dhe me fizik të mirë. Është moderatore e zonja dhe ka shumë personalitet, gjithashtu dhe ajo është e realizuar në jetë e familje, pasi ka dy djem të bukur. Jam me fat se është e disiplinuar dhe kërcen shumë mirë.

Valeri-4

Në këtë edicion mungon në juri Robert Aliaj. Të erdhi keq që s’do jetë ai të të gjykojë dhe si të duket Gent Zenelaj në vend të tij?
Më erdhi keq që nuk është Robert Aliaj, pasi do i kisha bërë “zbor”. Në këtë mënyrë do kisha marrë hakun e konkurrentëve të mëparshëm. (qesh). Por u gëzova, pasi humori i Gentian Zenelajt dhe eleganca e profesionalizmi i primabalerinës shqiptare, Enada Hoxha, janë më në harmoni me bukurinë e sheqerin e Valbona Selimllarit.

Dihet tashmë që ti vjen në Tiranë vetëm për show dhe kthehesh pranë familjes, ku punon si mjek. Si e ndien veten me të njohurit e metropolit, ndërkohë që je i famshmi që vjen nga rrethet?
Të gjithë e dinë që sakrifikoj shumë për dashurinë e madhe që kam për televizionin e show-n, por lumturohem dhe jeta ime kështu më zbukurohet më shumë. Si e ndiej veten? (Qesh) Sigurisht që më superior, pasi vështirësitë t’i zbukurojnë më shumë emocionet e përjetimet. Pastaj, një arsye tjetër për këtë është dhe fakti që jetoj në Malësi të Madhe, kështu jam më bishë se VIP-at e metropolit që dorëzohen shpejt. (qesh)

Valeri-5

Gjithmonë ke luajtur me kartën e djalit që nxjerr në pah edhe erosin pa asnjë tabu. Fakti që je i martuar, të bën më të lirë apo të privon?
Erosin? Ouuuuu (qesh) Asnjë privim, por fakti që jam i martuar fatlum vetëm më kompleton për të bërë më mirë gjithçka. Kam bashkëshorte, familje dhe njerëz fantastikë në fis, që më japin forcë për të shkëlqyer e të buzëqesh. Miqtë gjithashtu, më japin shumë pozitivitet e energji.

Shumë personazhe VIP po u japin fund martesave. Ty të tremb diçka e tillë dhe çfarë bën për ta mbrojtur?
Asnjë ndarje nuk është e bukur, madje gjithçka që vjen pas saj gjithmonë do të jetë e zbehur. Uroj të mos na bjerë për rrisk. S’më tremb asgjë, por pse t’i mendoj këto ndodhi, kur më mirë të çmoj dhe më shumë mirësinë që kemi.

Valeri-1

Kthehemi tek show, do të eksperimentosh me numra të guximshëm kërcimi dhe deri ku mund të arrish?
Gjithçka më vjen natyrshëm, por me profesionistë dhe sidomos kur të më ushqejnë për të bërë gjëra të mëdha, do të realizojmë performanca që asnjë personazh tjetër (jo profesionist në kërcim) s’ka arritur t’i bëjë më mirë në ekranet shqiptare. Unë jam gati!

Je aq mendjehapur sa ta pranosh tradhtinë si pjesë të jetës dhe çfarë sekreti keni ti dhe Mandalena për marrëdhënie të qëndrueshme?
Sigurisht që është pjesë e jetës, por jo pjesë e përjetimit tonë si çift. Asnjëri nga ne nuk e lodh veten me gjëra të kësaj natyre, unë e Mandalena duhemi njësoj si ditën që jemi parë. Mundohemi ta ushqejmë gjithnjë e më shumë këtë gjë, edhe pas 9 viteve bashkë./PANORAMA PLUS