Valentin Veizi shpërtheu kundër Elsa Lilës, Capital T dhe RTSH-së/ Klotilda Harka zbulon detajet e krisjes së marrëdhënies vite më parë

Kompozitori Valentin Veizi kritikoi Elsa Lilën, reperin Capital T dhe Radio Televizionin Shqiptar për versionin e ri të këngës “Pyes lotin” në natën e nostalgjisë në “Festivalin e Këngës”, një natë kushtuar disa prej hiteve të festivalit ndër vite.

Veizi, i cili kompozoi këngën “Pyes lotin” që fitoi vendin e parë në Festivalin e 35-të të Këngës, kënduar nga Elsa Lila, shprehet i indinjuar për mënyrën si Lila dhe Capital T ndryshuan këngën, si edhe për faktin që askush nuk e kontaktoi paraprakisht.

Në lidhje me këtë çështje dhe të tjera argumente për Festivalin e Këngës dje në ‘Abc e Pasdites’ diskutuan të ftuarit e Ermal Peçit, gazetarja Klotilda Harka, Albana Ruçi dhe Konstandin Feshti. Klotilda Harka u pyet për reagimin e kompozitorit Valentin Veizi, duke zbuluar detaje të pathëna: “Çuditem se si nuk e kanë kontaktuar Valentinin, së pari vetë Elsa Lila, dhe nga ana zyrtare, organizatorët e Festivalit. Ai është kompozitori, dhe në raste të tilla të ripunimit të këngës, diskutohet me autorin për ndërhyrjet dhe merret ok-i i tij para publikimit. Ose në kundërt qenkan të vërteta fjalët që kanë qarkulluar në rrethin e ngushtë të muzikës ndër vite, se marrëdhënia e tyre është krisur pas dy fitoreve të Elsës vite më parë. Më tepër mes babait të Elsës (që ka qenë pak a shumë menaxheri i saj në ato kohë) dhe Valentin Veizit”, tha ndër të tjera, Klotilda.

Ndërkohë në reagimin e tij, kompozitori që zbuloi talentin e Elsës vite më parë, Veizi, shkruante: “Kam marrë shumë mesazhe e telefonata nga shokë e miq, dashamirës e simpatizantë të muzikes sime të indinjuar në lidhje me një variant të këngës “Pyes Lotin” që është kënduar nga Elsa Lila edhe Capital T në natën e tretë të Festivalit 61 të RTSH-së. Duke qenë se s’kam patur mundësi të ndjek festivalin, e kërkoj edhe e dëgjoj në YouTube këngën, më bën përshtypje (indinjuan) dy gjëra: E para, nuk e di kush ka marrë guximin e ka pasur kurajon të ma bëjë “pis” këngën time. Mirë që nuk kanë aftësinë profesionale për të “rifreskuar” apo të sjellin ndryshe një këngë, por këta nuk kanë as edukatën edhe as respektin të paktën të kontaktojnë për të marrë lejen e autorit.” – shkruan ai. “Së dyti: Ti (kushdo) mund të rikëndosh një këngë, por nuk ke asnjë të drejtë të ndryshosh e të denigrosh këngën pa lejen e autorit, (kompozitorit). Më lini t’ua them troç edhe njëherë Lilës edhe Capitalit, modeli i këngës që ju sollët është modeli se si mund të denigrosh, shpërfytyrosh një këngë aq të bukur si kënga “Pyes Lotin”, prandaj do t’i lutem Radio Televizionit Shqiptar ta heqë nga çdolloj transmetimi këtë variant të shëmtuar!” , shkruante Valentini.


Le të shohim si çdo bëhet me versionin e ri “Pyes lotin”, nëse do të hiqet nga Youtube apo jo.

/www.story.al