Valbona Halili: Si më ndryshoi jetën ardhja në jetë e djalit pas 20 vite karrierë

Dy vite më parë Valbona Halili u bë nënë për herë të parë e djalit Dean, të cilit i ka kushtuar edhe këngën e zemrës me titull “Çuni”. Për 20 vitet e karrierës në muzikën popullore dhe dy vitet e eksperiencës më të bukur që mund të përjetojë një grua, atë të mëmësisë, Bona tregon më shumë për revistën “Story”

Pas karrierës 20 vjeçare si këngëtare provove emocionet e sjelljes në jetë të fëmijës së parë. Si u ndjeve kur more në krahë djalin për herë të parë?
Është e pashpjegueshme ajo çfarë ndjeva kur mora në krah engjëllin tim, atë që Zoti ma fali për të më bërë të lumtur. Gjatë gjithë shtatzanisë mendoja se si do ishte ai, dhe ja ku erdhi momenti që më në fund ta shikoja. Pasi dëgjova të qarat e bebit, disa pika lot më rrodhën nga sytë e mi, dhe thashë: “Faleminderit Zot që ma solle Deanin në jetë shëndoshë e mire!”. Pra shkurt një lëmsh ndjenjash pasi isha kaq e lumtur që po mbaja në krahë ëngjëllin tim të vogël.

Bëre lindje natyrale apo me ndërhyrje çezariane?
Kam lindur vetë, pasi thonë që është ndryshe ndjesia që merr kur lind vetë, nga lindja me operacion. Lindja ishte e mrekullueshme, shumë e lehtë. U ndjeva e shokuar vetëm nga lumturia, pasi po përjetoja një ndjenjë e mrekullueshme që nuk gjej dot fjalët për ta përshkruar. E mora në krahë dhe vetëm qeshja nga lumturia.

Duke qenë se je e angazhuar me koncerte me rritjen e djalit je marrë vetë apo ke punësuar një babysitter?
Tre muajt e parë ishin shumë të vështirë, pasi Deani qante shumë. Kjo gjë më stresoi pa masë, duke ma bërë këtë periudhë shumë të vështirë, pasi duke qenë një nënë e re nuk dija si të veproja, çfarë të bëja, cila ishtë më e mira për të. Por vetem përkushtimi dhe sakrifica e ndihmojnë një nënë të re t’i bëjë ballë çdo vëshirësie. Pra dua të them që ishte e vështirë pasi isha e vetme, pa ndihmën e mamit pasi ka shumë vite që ka ndërruar jetë. Por, githsesi, edhe pse ishte e vështirë nuk ishte e pamundur. Ndërkohë, kur kisha ndonjë angazhim pune kam marrë një babysitter, që është kujdesur për djalin.

E ndjen se të ka ndryshuar si grua ardhja në jetë e fëmijës?
Patjetër që po. Mund të them se ndjesia e mëmësisë më ka ndryshuar totalisht këndvështrimin për jetën, veten dhe të ardhmen. Ardhja ne jetë e Deanit më bëri të ndihem e plotësuar. Çdo ndikim që solli lindja e tij në jetën time ishte për mirë. Kur bëhesh nënë e sheh veten në një tjetër pikëpamje, je më e përgjegjshme në atë që thua dhe në atë që bën. Unë që kur jam bërë nënë kam një këndvështrim shumë largpamës dhe karakter shumë të fortë, jam shumë e vendosur në atë që bëj dhe që shikoj në te ardhmen.

Zakonisht artistët nuk dëshirojnë që fëmijët të ndjekin rrugën e tyre. Ti?
Nuk e di se sa e saktë mund të jem, por unë e shoh që Dean ka një zë shumë kumbues, qysh në momentin kur ka lindur. Shpresoj të bëhet një këngëtar i famshëm. Njëkohësisht do t’i japim edhe shkollim, që ta ketë një profesion tjetër, dhe muzikën ta ketë më shumë si hobi. Sa për edukimi do të jem një nënë që do t’i kem pak nga të gjitha. Tërhiq e mos këput kur i thonë, se kështu e do edhe fëmija besoj. Duhet të jesh tolerante dhe në momente të caktuara, kur duhet shtrënguese e kontrolluese. Do jem një shoqe e mirë për Dean, do të kujdesem duke u munduar të jem mikja e tij që ai të më tregojë gjithçka.

Tani flasim pak për anën tënde profesionale. Të ka penguar një fëmijë i vogël në punën tënde, pasi dihet që të duhet të udhëtosh, të punosh me orare të zgjatura, ndonjëherë deri natën vonë…
Fjalën “pengesë” nuk do ta përmendja. Për mua ky ishte një hap i menduar mirë. M’u desh vetëm një riorganizim i jetës, duke i krijuar vetes mundësinë për të punuar, por edhe për të shijuar rritjen e fëmijës tim. Deani është gjeja më e mirë që kam bërë, ai tani është një shtysë pozitive dhe kuptimplotë, aspak pengesë. Pas lindjes bëra një periudhe pushimi nga koncertet e dasmat. Tani kam kapur ritmin e punës dhe gjatë gjithë verës jam e zënë me evenimente brenda dhe jashtë Shqipërisë.