“Vajza nuk mbyt dot një pulë”/ 19-vjeçarja vrau dhe groposi të atin, flet krushku i viktimës: Pëllumbi ishte zotëri burrë! S’dimë të kenë pasur konflikte për fejesë

Krushku i Pëllumb Metës, 50-vjeçarit i cili dyshohet se u vra dhe u varros në kasolle nga e bija, është shprehur se 19-vjeçarja nuk mbyste dot një pulë.

Në një deklaratë për mediat, ai është shprehur se 50-vjeçari ishte “zotëri burrë”, duke shtuar se ka pasur një familje të mirë.

Sa i përket 19-vjeçares, krushku i viktimës u shpreh se Hygerta Meta ishte shumë e mirë dhe se nuk të shkonte mendja që ajo ka bërë këtë veprim, duke shtuar “ndoshta ia kanë lënë vajzës”.

“Nuk di asgjë, nuk kam asnjë informacion, Pëllumbi ishte zotëri burrë, është nga Kruja. Është vendosur këtu, ka vite. Ka pasur familje të mirë, me sa e njohim neve. Ai punonte roje tek varrezat e makinave. Një nga vajzat e tij e ka djali im, e njohim si familje të mirë. Nuk e kemi ditur çfarë konfliktesh kanë pasur. Rreth 2 javë më parë na thanë që ka humbur, më vonë morëm vesh që u gjet makina. Sot na njoftuan që është gjetur.

Vajza nuk mbyt dot një pulë, jo më njeri. Nuk e di a ka persona të tjerë të përfshirë. Janë çështje familjare, ishte shumë e mirë, studentë, nuk të shkon mendja që ajo ka bërë këtë veprim. S’kam informacion fare që vajza do të fejohej, s’dimë të kenë pasur konflikte. Ka ndodhur kjo, ndoshta ia kanë lënë vajzës”, tha krushku i viktimës.

Vrasja për fejesën

E reja, e cila studionte Ekonomi/biznes në Universitetin e Tiranës, ka dëshmuar se donte që të ndiqte studimet dhe ëndrrat e saj, por i ati kërkonte ta fejonte padëshiren e saj.

Hygerta Meta deklaroi se 50-vjeçari këmbëngulte që ajo të martohej me një djalë nga fshati, emigrant në Itali, që sipas të resë nuk ishte në nivelin e saj.

“Doja të ndiqja ëndrrat e mija, të vazhdoja shkollën. Dita më e lumtur e jetës time ka qenë kur fitova shkollën. Ai donte të më fejonte me dikë që nuk ishte në nivelin tim. Kishin hyrë shkuesi me një djalë nga fshati, emigrant në Itali. Por unë nuk doja atë, babai këmbënguli dhe fllimisht e vrara me armë zjarri dhe më pas e varrosa”, ka deklaruar 19-vjeçarja.

Ajo ka treguar se e qëlloi babain me armën e tij, pasi ky i fundit e mbante armën pasi punonte si roje nate.

19-vjeçarja rrëfeu se pasi e ka vrarë me armë zjarri e ka varrosur të atin po në kasolle pranë banesës së tyre në Shënavlash të Durrësit.

Kur është bërë zhvarrosja e trupit të 50-vjeçarit, nga kqyrja paraprake është vërejtur se e kishin lidhur dhe “paketuar” në qese para se ta varrosnin.

Policia po vijon hetimet për të zbardhur plotësisht ngjarjen sepse dyshohet se mund të ketë edhe bashkëpunëtorë.

Hygerta Meta është arrestuar për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”.

Pëllumb Meta rezulton i zhdukur prej datës 13 shkurt 2024. Ka qenë djali i tij, 25-vjeçari me iniciale H. M., i cili rreth orës 22:30 ka kallëzuar në polici se babai i tij ishte larguar nga banesa, babai i tij dhe se kishin humbur kontaktet me të.

Pas denoncimi të djalit për zhdukjen Pëllumb Metës, shërbimet e Policisë kanë nisur kërkimet dhe më datë 17 shkurt kanë gjetur automjetin e tij të parkuar në aksin rrugor Shënavlash-Sektor Rinia.

Si rezultat i hetimeve të thelluara u bë e mundur zbardhja e zhdukjes dhe nga provat e siguruara u ngrit dyshimi se 50-vjeçari nuk ishte zhdukur, por ishte vrarë në banesë.

Trupi i Pëllumb Metës është zhvarrosur dhe është transortuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për kryerjen e ekspertizës së mëtejshme.

panorama.al